Sot, në Federatën e Futbollit të Kosovës u mbajt punëtoria e radhës në kuadër të Departamentit të Licencimit, me pjesëmarrjen e klubeve të Superligës dhe Ligës së Parë, ku u diskutuan çështje të rëndësishme të procesit të licencimit të klubeve për garat e UEFA-s për edicionin 2026–2027.
Punëtorinë e hapi presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili theksoi rëndësinë e licencimit të klubeve si një proces thelbësor për zhvillimin dhe profesionalizimin e futbollit në vendin tonë.
Më pas, menaxheri i Departamentit të Licencimit, Bajram Shala, i njoftoi pjesëmarrësit për kompletimin e strukturës së këtij departamenti. Erika Krasniqi është emëruar zëvendësmenaxhere e Licencimit, ndërsa si ekspertë të kritereve janë emëruar Agron Shosholli për Kriterin e Personelit dhe Administratës, Besim Ademi për Kriterin Sportiv, Haris Abdixhiku për Kriterin Infrastrukturor dhe Fis Murati për Kriterin Ligjor. Po ashtu, juristi Bashkim Preteni është bërë pjesë e Komisionit të Shkallës së Parë, ndërsa në Komisionin e Shkallës së Dytë është angazhuar juristi Labinot Murati.
Gjatë prezantimit të tij, Shala potencoi disa nga pikat më të rëndësishme të procesit të licencimit, përfshirë kriteret specifike dhe afatet për dorëzimin e dokumentacionit nga klubet.
Në vazhdim, Dardan Sadiku, përgjegjës për Departamentin e Teknologjisë Informative, prezantoi implementimin e platformës MyFFK (Football Management System), e cila nga ky sezon do të përdoret edhe në Departamentin e Licencimit. Fillimisht, sistemi do të funksionojë si projekt pilot, ku klubet do të kenë mundësi të përdorin paralelisht MyFFK-në dhe mënyrat tradicionale të dorëzimit të dokumenteve. Megjithatë, MyFFK do të jetë platforma kryesore për komunikim dhe dorëzim të dokumentacionit për të gjitha klubet.
Ndërkaq, Doruntinë Fetahaj, përgjegjëse e Qëndrueshmërisë Sociale dhe Mjedisore në FFK foli për rëndësinë e qëndrueshmërisë mjedisore, e cila tashmë ka marrë peshë më të madhe edhe në kuadër të UEFA-s dhe është bërë pjesë e rëndësishme e procesit të licencimit. Ajo theksoi nevojën që klubet të vetëdijësohen për krijimin e ambienteve më të sigurta dhe më të qëndrueshme për zhvillimin e aktiviteteve të futbollit, duke përfshirë riciklimin e plastikës dhe materialeve të tjera që përdoren gjatë organizimit të ndeshjeve.
Gjatë kësaj punëtorie u ritheksua se FFK mbetet e përkushtuar në avancimin e vazhdueshëm të procesit të licencimit, në përputhje me rregulloret e UEFA-s dhe standardet bashkëkohore të futbollit.






