Sulmuesi i Borussia Dortmundit, Karim Adeyemi, para pak javëve është gjobitur me 450 mijë euro nga shteti gjerman për armëmbajtje të paligjshme.
Lidhur me këtë, futbollisti është deklaruar për herë të parë.
Përmes një postimi në Instagram, i dashuri i reperes kosovare, Loredanës, u shpreh i penduar, derisa theksoi se ka mësuar nga gabimi.
“Me siguri i keni parë lajmet për mua këto ditë. Nuk është e lehtë të flas për këtë. Në fillim të vitit 2024, nga pakujdesia dhe pa menduar vërtet çfarë po bëja, porosita në internet të ashtuquajturën “Mystery Box”. Brenda saj ndodheshin sende që janë të ndaluara nga ligji për armëmbajtje. Disa muaj më vonë, paketa u dërgua dhe, rastësisht, përfundoi e paprekur në polici. Megjithatë, ky ishte një gabim i madh. Një gabim për të cilin më vjen shumë keq, që më ka kushtuar shumë dhe për të cilin pendohem”.
“E di që jam në vëmendjen e publikut dhe kam një rol si shembull. Në këtë rast nuk kam vepruar si duhet. Pikërisht për këtë arsye më dhemb edhe më shumë që kam vepruar kaq me lehtësi. Kam mësuar nga kjo dhe ju premtoj se do të shmang gabime të tilla në të ardhmen”, u shpreh futbollisti.






