Gjykata Themelore sot në Prishtinë e ka dënuar ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekajn me 3 vite e 8 muaj burgim për rastin e pagesës prej 53 milionë ndaj “Bechtel&Enkas” për autostradën “Arbën Xhafer”
Lekaj në prononcim për Insajderin e ka cilësuar të padrejtë vendimin teksa ka shtuar se do ta ushtrojë të drejtën e ankimit në shkallën e dytë.
Mes tjerash, ai pati edhe një kërkesë për kundërshtarët e tij politik.
“Në historinë e gjykimeve në Kosovë, ka pasur mijëra raste të gjykimeve të padrejta e të pabazuara, siç ishte edhe vendimi i sotëm i Gjykatës Themelore ndaj meje. E njoftoj opinionin e gjerë publik se asnjëherë nuk i kam tejkaluar kompetencat e mia e nuk e kam keqpërdorur pozitën e ministrit, kjo as në rastin e Autostradës “Arbën Xhaferi”!”, tha ai për Insajderin.
“Natyrisht, unë do ta ankimoj vendimin në Apel dhe jam i bindur se vendimi i sotëm do të shpallet NUL. Kundërshtarëve te mi politikë u them të mos gëzohen para kohe, sepse e drejta që do të dalë në shesh shumë shpejt do t’i zhgënjejë. I bindur në pafajësinë time dhe në drejtësi” ka thënë Pal Lekaj.
Përveç Lekaj, gjykata dënoi edhe disa prej ish-zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës.
Sipas aktgjykimit, Pal Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj burgim.
Nebih Shatri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, ndaj tij u shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh.
Kurse, Besim Tahiri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tij, po ashtu u shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh.
Ndërsa, Eset Berisha u dënua me 3 vite e 3 muaj burgim. Po ashtu, ndaj Berishës u shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.