Profesori i Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi është denoncuar për ngacmim nga 27 studente në Fakultetin e Mjekësisë, për ngacmim seksuale. Tash e ca javë është duke u kërkuar shkarkimi i tij. Gjatë ditës së djeshme, ka pasur edhe tensione para rektoratit disa aktivistë janë arrestuar.
Për rastin, sot Universiteti i Prishtinës ka dërguar një sqarim për media. Fillimisht bëhet me dije se po kërkojnë kohë për trajtimin e rastit meqenëse edhe rasti pretendohet të ketë ndodhur para 1 viti e gjysmë.
Rasti konfirmojnë se në Këshill të Etikës është adresuar vetëm në mars të këtij viti.
Mes tjerash në reagimin e tyre, thuhet se “Në këtë drejtim, Këshilli vlerëson që nuk ka as vend dhe as arsye për dramatizim të situatës.”.
Madje kërkohet të mos ketë presion.
Në kuadër të trajtimit të paanshëm dhe objektiv, është e domosdoshme që të gjitha palët të përmbahen nga çfarëdo mjeti e forme presioni. Këshilli i Etikës ka refuzuar dhe do ta refuzojë presionin si modalitet të funksionimit të tij, sepse një gjë e tillë është në interesin më të mirë të funksionimit institucional dhe të rendit juridik, në përputhje me standardet më të mira evropiane dhe ndërkombëtare”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë, pa ndërhyrje:
Bazuar në informatat e ofruara nga Këshilli i Etikës, në lidhje me denoncimin e paraqitur ndaj Prof.Xh.K., dhe procedurat dhe standardet që ky Këshill zbaton, Universiteti i Prishtinës sqaron si në vijim:
Si për çdo rast, edhe në rastin në fjalë, Këshilli i Etikës zhvillon procedurat e përcaktuara dhe të zbatueshme ligjore, përfshirë në mënyrë të posaçme procesin e përcaktuar në Rregulloren përkatëse të UP-së për procedurat dhe masat disiplinore.
Rasti në fjalë, nuk ka përbërë përjashtim nga ky rregull. Sqarojmë se rasti i adresuar, pretendohet të ketë ndodhur para një viti e gjysmë (tetor/nëntor 2022, dhe janar/shkurt 2023). Përkundër kësaj, rasti është adresuar në Këshill të Etikës vetëm në mes të marsit 2024. Kurdo që një rast paraqitet, ai merret dhe trajtohet me seriozitetin e duhur dhe procedurat e paracaktuara, por nëse është dashur kaq kohë e gjatë për ta paraqitur, Këshilli vlerëson se meriton një hapësirë kohore, që gjithsesi është shumë më e arsyeshme se kjo më sipër, për të punuar i lirë dhe, mbi të gjitha, për t’u siguruar që dëgjon dhe shqyrton deklarimin e secilës palë, të përfshirë në këtë çështje dhe që duhet dëgjuar. Në këtë drejtim, Këshilli vlerëson që nuk ka as vend dhe as arsye për dramatizim të situatës.
Përkundrejt konsideratave të mësipërme, duke pasur parasysh natyrën e pretendimit, Këshilli i Etikës megjithatë ka pranuar ta trajtojë këtë rast me urgjencë, gjë që është duke e bërë. Mbi këtë bazë, Këshilli deri më tani ka mbajtur tri seanca, të cilat janë janë zhvilluar me qëllim dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga vetë pala denoncuese.
Dëgjimi i dëshmitarëve nga pala denoncuese është hap procedural i domosdoshëm, për të shmangur një rezultat të kontestueshëm dhe për të dhënë garancinë se për rastin është gjykuar e vendosur drejt. Në një rend demokratik dhe sistem që udhëhiqet nga sundimi i ligjit, Këshilli i Etikës kujdeset që të shamanget arbitrariteti, duke ju mundësuar palëve në procedurë të drejtën e tyre për t’u dëgjuar dhe për të paraqitur pretendimet e tyre në mënyrë të plotë e të barabartë. Kjo pasi parimi themelor për një proces të drejtë, të paanshëm dhe objektiv vlen edhe për rastet e shqyrtuara nga Këshilli i Etikës.
Pretendimet janë serioze dhe kjo gjithashtu nënkupton se edhe rasti duhet të trajtohet me seriozitet. Secili pretendim dhe secila provë duhet të shqyrtohet, brenda një kohe të arsyeshme, duke bërë përpjekje maksimale që ky rast të vendoset brenda një periudhe sa më të shpejtë të mundshme dhe objektivisht optimale, gjithmonë duke u siguruar se nuk dëmtohet drejtshmëria e vendimit.
Në kuadër të trajtimit të paanshëm dhe objektiv, është e domosdoshme që të gjitha palët të përmbahen nga çfarëdo mjeti e forme presioni. Këshilli i Etikës ka refuzuar dhe do ta refuzojë presionin si modalitet të funksionimit të tij, sepse një gjë e tillë është në interesin më të mirë të funksionimit institucional dhe të rendit juridik, në përputhje me standardet më të mira evropiane dhe ndërkombëtare.
Sigurisht, Këshilli i Etikës, sikurse vetë Universiteti i Prishtinës, e kupton dhe pranon të drejtën e protestës, por u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira, si dhe palëve të treta, që protestat të zhvillohen në mënyrë demokratike, në një mënyrë që nuk ushtron presion dhe nuk pengon kryerjen e detyrave të Këshillit të Etikës.
UP iu rikujton të gjitha palëve që, ndonëse vendimet e Këshillit të Etikës janë të rëndësishme, ato nuk paraqesin vendime të formës së prerë. Prandaj, secila palë gëzon të drejtën për t’i adresuar pretendimet edhe në instanca të tjera, përfshirë ato gjyqësore.