19.3 C
New York
Thursday, May 29, 2025

Buy now

U.D Kryeprokurori i Shtetit: Qeveria nuk na ndan buxhet, vazhdimisht ushtrohet presion në punën tonë

- Advertisement -

Besim Kelmendi, ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit tha se shqetësuese për sistemin prokurorial është mosndarja e kërkuar e buxhetit nga ana e Qeverisë së Kosovës. Ai tha se mungesa e buxhetit të duhur ka ndikuar në mosrritjen e numrit të prokurorëve.

“Një gjë që na shqetëson neve si sistem prokurorial është çështja që Qeveria nuk ndan buxhete të kërkuara sipas asaj që ne e shohim si të nevojshme dhe këtë e them me një arsye me këtë se kohët e fundit është rritur numri i gjyqtarëve dhe shumë mirë që është bërë kjo por nuk është rritur numri i prokuroreve për shkak të buxhetit”, tha ai.

Kelmendi foli për të gjeturën e parë të raportit që u publikua nga IKD, FOL dhe INPO “Aplikimi i jurisprudencës së GjEDNj-së në Kosovë”, e që është gjykimi brenda një afati të arsyeshëm kohor. Tha se në vitin 2022 është nxjerrë Kodi i ri i Procedurës Penale i cili ka parashikuar edhe afate strikte të cilat duhet të respektohen nga Prokuroria dhe Gjykatat.

“Ne jemi munduar që menjëherë ta ndryshojmë qasjen e Prokurorive në përputhje me këto afate”, tha Kelmendi, duke shtuar se ka lëshuar edhe udhëzim detyrues që këto afate të respektohen.

U.d Kryeprokurori i Shtetit tha se secili kryeprokuror i secilës prokurori së bashku me prokurorin e rastit duhet të trajtojë secilin rast brenda tre muajve dhe të bëjë shënim zyrtar për të gjeturat me arsyet e vazhdimit ose mosvazhdimin e hetimit të atij rasti.

Veç kësaj, ai tha se ka lëshuar edhe udhëzim detyrues dhe ka kërkuar që të bëjnë kontrolle ligjore e po ashtu ka caktuar edhe grupe monitoruese nga Zyra e Prokurorit të Shtetit për t’i vizituar të gjitha prokuroritë, për të parë se si po respektohen këto afate.

Ai tha se me të drejtë gjyqtarët caktojnë seanca, por që nuk mund t’i mbajnë ato për shkak të numrit të vogël të prokurorëve dhe pamundësisë për të arritur në seanca.

Kelmendi tha se edhe tek pjesa e sekuestrimeve dhe konfiskimeve, prokurorët dhe gjyqtarët duhet ta rrisin ndërgjegjësimin për të ndermarrë hapa urgjent në këtë pjesë.

Ai theksoi që me ligj e kanë të detyruar që t’i shesin. Përmendi që me vite e vite kanë mjete dhe gjësende të sekuestruara që janë në depotë e Agjencisë për Menaxhimin e gjësendeve të sekuestruara dhe konfiskuara, e po ashtu edhe në depotë e Policisë.

Kelmendi tha se ka automjete që janë sekuestruar para 15 vjete dhe tani nuk e kanë asnjë vlerë, e që Kodi i Procedurës Penale ua lejon që t’i shesin dhe ato para t’i hudhin në llogari bankare dhe në rast që palët e fitojnë kontekstin, t’i kthejnë ato para- në të kundërtën ato mbesin pjesë e buxhetit të shteti.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), me përkrahjen e Ambasadës Gjermane në Prishtinë, të mërkurën organizuan tryezë të rrumbullakët me rastin e publikimit të raportit “Aplikimi i jurisprudencës së GjEDNj-së në Kosovë”. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme

Të fundit