Një tërmet i fortë me magnitudë 6.1 goditi mbrëmjen e kësaj së hënës, 27 tetor, Turqinë perëndimore, duke shkaktuar shembjen e të paktën tre ndërtesave në qytetin Sindirgji të provincës Balikesir, njoftuan autoritetet turke. Deri më tani nuk janë raportuar viktima.
Sipas Agjencisë për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), tërmeti ndodhi në orën 22:48 me orën lokale (19:48 GMT) dhe kishte thellësi rreth 6 kilometra. Dridhjet u ndjenë edhe në Stamboll, si dhe në provincat fqinje Bursa, Manisa dhe Izmir, raportoi kanali televiziv Habertürk.
Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya, konfirmoi se në Sindirgji janë shembur të paktën tre ndërtesa dhe një dyqan. “Deri tani nuk kemi konfirmuar humbje jete, por po vazhdojmë vlerësimet në terren,” deklaroi administratori i rrethit Sindirgji, Dogukan Kojuncu, për agjencinë shtetërore Anadolu.
Televizioni privat NTV raportoi se ndërtesat e shembura ishin të banuara dhe kishin pësuar dëmtime nga një tërmet i mëparshëm. Zona e Sindirgjiut ishte goditur edhe në muajin gusht nga një tjetër tërmet me magnitudë 6.1, ku humbi jetën një person dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Që prej asaj kohe, rajoni i Balikesirit është tronditur nga disa lëkundje më të vogla.
Turqia ndodhet mbi linja të fuqishme të çarjeve tektonike dhe përballet shpesh me tërmete. Në vitin 2023, një tërmet shkatërrimtar me magnitudë 7.8 shkaktoi mbi 53 mijë viktima dhe rrënoi mijëra ndërtesa në 11 provinca të jugut dhe juglindjes së vendit. Në veri të Sirisë fqinje humbën jetën edhe 6 mijë persona të tjerë.






