Turqia më në fund ka miratuar kërkesën e Finlandës për t’u bashkuar me NATO-n, duke i dhënë fund vonesave disamujore e duke vazhduar gjithashtu të bllokojë Suedinë nga bashkimi me aleancën ushtarake.
CNN raporton se parlamenti turk ka votuar unanimisht në favor të anëtarësimit të Finlandës të enjten, duke hequr edhe pengesën e fundit në procesin e pranimit.
Votimi ka përmbushur “premtimin” e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan për të lejuar Finlandën në aleancën e mbrojtjes.
Kujtojmë se Turqia ishte anëtari i fundit i NATO-s që miratoi pranimin e Finlandës, pas Hungarisë që e miratoi të hënën.
Raportohet se në një deklaratë të dhënë pas votimit, presidenti finlandez Sauli Niinisto ka thënë se vendi i tij “tani është gati për t’u bashkuar me NATO-n”.
“Të 30 anëtarët e NATO-s kanë ratifikuar tani anëtarësimin e Finlandës. Dua të falënderoj secilin prej tyre për besimin dhe mbështetjen. Finlanda do të jetë një aleat i fortë dhe i aftë, i përkushtuar ndaj sigurisë së Aleancës,”- ka thënë presidenti finlandez, ndërsa ka shtuar që mezi presin edhe bashkimin e Suedisë.
Vendimi nga Turqia është mirëpritur edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.
Finlanda dhe Suedia ishin vende të përkushtuara prej dekadaash për mos-angazhim me NATO-n si një mënyrë për të shmangur provokimin e Moskës. Megjithatë, kjo ndryshoi kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës, duke detyruar dy vendet skandinave të rivlerësojnë statusin e tyre neutral.