Home Lajme Botë Trumpi u ofron miliona punëtorëve federalë tetë paga që të japin dorëheqje

Trumpi u ofron miliona punëtorëve federalë tetë paga që të japin dorëheqje

0
Trumpi u ofron miliona punëtorëve federalë tetë paga që të japin dorëheqje

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u ka ofruar pako pagesash pothuajse të gjithë punëtorëve federalë që nuk duan të kthehen në punë, një lëvizje e madhe me të cilën synohet tkurrja e stafit qeveritar.

Në një shkresë elektronike dërguar miliona punëtorëve të martën, administrata e Trumpit u tha punëtorëve se ata duhet të vendosin deri më 6 shkurt nëse duan të jenë pjesë e një “programi për dorëheqje të shtyrë”, raporton televizioni BBC.

Nëse ata pajtohen që të heqin dorë nga vendi i punës deri në atë datë, thuhet në porosi, ata do të marrin të holla në vlerë prej rreth tetë pagash.

Administrata e Trumpit pret që deri në 10 për qind e punëtorëve ta pranojnë ofertën, ose rreth 200 mijë nga më shumë se dy milionë punonjësit qeveritarë federalë, sipas partnerit të BBC-së në ShBA, “CBS News”.

Zyrtarë të lartë të Trumpit u thanë mediave amerikane se kjo ofertë mund t’i kursejë shtetit deri në 100 miliardë dollarë.

Punëtorëve që duan ta pranojnë ofertën iu kërkua që t’i përgjigjen shkresës me fjalën“dorëheqje” në titullin e letrës së tyre. Oferta përfshin pagesa dhe beneficione për punëtorët deri më 30 shtator.

Sidoqoftë, punëtorëve të caktuar nuk iu dërguakjo ofertë, përfshirë punëtorët e postës, anëtarët e ushtrisë, zyrtarët për migracion dhe disa punëtorë të sigurisë kombëtare, sipas shkresës elektronike.

Në porosinë e dërguar nga Zyra e Menaxhimit të Personelit të martën në mbrëmje gjithashtu jepet një paralajmërim për zvogëlim të stafit që mund t’i prekë ata që vendosin të qëndrojnë në vendin e punës, transmeton nacionale.

“Ne nuk mund t’ju japim garanci të plotë në lidhje me sigurinë e pozitës ose agjencisë suaj, por nëse pozita juaj eliminohet, ju do të trajtoheni me dinjitet” – thuhet në shkresën elektronike dërguar punëtorëve.

Kjo shkresë vjen pas njoftimit të mëhershëm të Trumpit se punëtorëve që kishin qenë duke punuar nga shtëpia që nga pandemia e koronavirusit do t’u kërkohej që të ktheheshin në zyra pesë ditë në javë.

Presidenti amerikan është zotuar në mënyrë të përsëritur gjatë fushatës për zvogëlimin e stafit qeveritar dhe për uljen e shpenzimeve federale.

Qeveria amerikane raportohet se i ka pezulluar edhe fondet për vendet e huaja si dhe grantet e huatë federale për shtetet amerikane.

Drejtori në detyrë i Zyrës për Menaxhim dhe Buxhet, e cila e mbikëqyr buxhetin federal, tha se fondet do të pezullohen gjatë kohës që administrata e Trumpit t’i rishikojë grantet dhe huatë për t’u siguruar që ato të jenë në vijë me prioritetet e presidentit, përfshirë urdhrat ekzekutivë që ai i nënshkroi javën e kaluar për t’u dhënë fund programeve për diversitet, barazi dhe përfshirje (DEI), raporton agjencia “Reuters”.

Exit mobile version