Donald Trump ka thënë se SHBA-ja ka kryer një sulm në një “zonë doku” të lidhur me anije të dyshuara venezueliane për drogë.
Presidenti amerikan tha se kishte pasur një “shpërthim të madh” ku “ata i ngarkojnë anijet me drogë” – por nuk dha më shumë detaje ose vendndodhjen e dokut. Qeveria e Venezuelës ende nuk është përgjigjur.
Shpërthimi u shkaktua nga një sulm me dron i kryer nga CIA, sipas CNN dhe New York Times, të cilat cituan burime pranë çështjes. Nëse konfirmohet, ky do të jetë operacioni i parë i njohur i SHBA-së brenda Venezuelës, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Trump më parë ka kërcënuar me sulme tokësore në Venezuelë, si dhe ka autorizuar veprime të fshehta të CIA-s, si pjesë e një fushate presioni ndaj Presidentit Nicolás Maduro.
Nuk ka pasur asnjë koment zyrtar mbi komentet e Trump nga Venezuela dhe – ndërsa ka pasur spekulime në mediat sociale – nuk ka raportime për ndonjë sulm në median shtetërore venezueliane.
Gazetarët e pyetën Trump të hënën nëse CIA e kishte kryer sulmin, dhe ai tha: “Nuk dua ta them këtë. E di saktësisht se kush ishte, por nuk dua të them se kush ishte.”
Kjo është hera e dytë që Trumpi e përmend shpërthimin. Në një intervistë radiofonike javën e kaluar, ai përshkroi një operacion amerikan kundër një “objekti të madh”, por dha detaje të kufizuara.
Një sulm amerikan në tokë do të përbënte një përshkallëzim të theksuar të presionit që administrata Trump i ka bërë Maduros, të cilin SHBA-të e kanë akuzuar se drejton një organizatë “narko-terroriste” – një akuzë që presidenti venezuelian e ka mohuar.






