Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të mërkurën se do ta tërheqë Gardën Kombëtare nga Chicago, Los Angelesi dhe Portlandi, por e la të hapur mundësinë për dërgimin e forcave federale “në një formë shumë më të ndryshme dhe më të fortë”.
Njoftimi i tij vjen pasi Gjykata Supreme e ShBA-së javën e kaluar e hodhi poshtë kërkesën e presidentit për ta lejuar atë që ta dislokonte Gardën Kombëtare në Chicago për t’i mbrojtur agjentët e ICE-së si pjesë e fushatës së vazhdueshme shtypëse të administratës ndaj emigrantëve, raporton televizioni CNN.
“Ne do ta largojmë Gardën Kombëtare nga Chicago, Los Angelesi dhe Portlandi, pavarësisht nga fakti se krimi është pakësuar shumë duke i pasur këta patriot në ato qytete, dhe vetëm përmes këtij fakti” – shkroi kreu i Shtëpisë së Bardhë në rrjetin “Truth Social”, duke argumentuar se ato qytete “do të ishin të shkuara, nëse nuk do të ishte ndërhyrja e Qeverisë Federale”.
Trumpi la të kuptohej se kishte mundësi për dislokime trupash në të ardhmen, duke shkruar: “Ne do të kthehemi, ndoshta në një formë shumë më të ndryshme dhe më të fortë, kur krimi fillon të shtohet përsëri – vetëm çështje kohe!”
Njoftimi i Trumpit për tërheqjen e Gardës Kombëtare u mirëprit nga kryeprokurori i Kalifornisë, Rob Bonta, i cili në një deklaratë tha se administrata qendrore po e shfrytëzon Gardën Kombëtare si “peng politik” dhe e kritikoi Trumpin, duke e cilësuar si “president që është i dëshpëruar për të qenë mbret”.






