Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është shprehur i zhgënjyer me vendimin e Gjykatës Supreme që ia shpalli të paligjshme taksat ndaj vendeve të tjera.
“Unë mund ta shkatërroj tregtinë, mund ta shkatërroj vendin. Madje më lejohet që t’i vendos embargo shkatërruese një vendi të huaj. Unë mund të vë embargo. Mund të bëj çfardo që dëshiroj, por mund të vë taksë prej 1 dollari, sepse nuk thuhet ashtu. Sa qesharake është kjo?” – deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ai e citoi pakënaqësinë e gjykatësit Brett Kavanaugh, i cili tha se vendimi i Gjykatës Supreme mund të mos e kufizojë në mënyrë substanciale aftësinë e një presidenti për të urdhëruar taksa në të ardhmen.
“Ai ka të drejtë. Në të vërtetë, unë mund të ngarkoj [taksa] shumë më shumë sesa që kam qenë duke ngarkuar” – tha presidenti amerikan.
“Sot, unë do të nënshkruaj një urdhër për të vendosur një taksë globale prej 10 për qind sipas Nenit 122, mbi taksat tona normale që tashmë janë duke u zbatuar” – paralajmëroi ai.
Tre gjykatësit e Supremes që nuk u pajtuan me vendimin e kësaj gjykate ishin Kavanaugh, i cili është emëruar nga Trumpi, dhe dy gjykatës të tjerë konservatorë.
Trumpi paralajmëroi se “alternativa të tjera do të përdoren tani për t’i zëvendësuar ato që i refuzoi në mënyrë të gabuar gjykata”. Një koment i tillë mund të jetë shenjë se presidenti nuk e ka ndërmend që ta ndryshojë politikën e tregtisë së jashtme.
Ai tha se shtetet e huaja po festojnë për vendimin e Gjykatës Supreme të ShBA-së, por një gjë e tillë nuk do të zgjatë shumë.
“Ato [shtetet] janë shumë të lumtura dhe po vallëzojnë në rrugë, por nuk do të jenë duke vallëzuar gjatë, për këtë mund t’ju siguroj” – paralajmëroi Trumpi.
Presidenti, pa paraqitur dëshmi, tha se Gjykata Supreme është “ndikuar nga interesat e huaja dhe nga një lëvizje politike që është shumë më e vogël se që mund ta mendojnë njerëzit”.
“Vendimi i Gjykatës Supreme për taksat është thellësisht zhgënjyes dhe unë turpërohem me anëtarë të caktuar të gjykatës, jam absolutisht i turpëruar që nuk e kanë guximin për ta bërë atë që është e duhur për vendin tonë” – tha politikani republikan.
Një burim i afërt me Shtëpinë e Bardhë tha se administrata gjithmonë ka bërë plane në rast të një vendimi të tillë dhe se ka plane për t’i aktivizuar autoritetet sipas neneve 232, 301, 122 dhe 338 të ligjit ekzistues.
“Kjo ishte gjithmonë një mundësi për të cilën ata kanë bërë plane” – tha burimi./Nacionale/






