Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të marrë pjesë në ceremoninë e rihapjes së katedrales “Notre Dame” në Paris këtë fundjavë, udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që nga fitorja në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Katedralja historike pritet të rihapet të shtunën pas më shumë se pesë vjetësh rindërtimi pas një zjarri shkatërrues që e kishte përfshirë në vitin 2019. Ceremonitë që do të mbahen të shtunën dhe të dielën do të organizohen nën masa të rrepta sigurie, pasi në to pritet që të marrin pjesë rreth 50 krerë shtetesh dhe qeverish, raporton gazeta “The Guardian”.
Trumpi njoftoi të hënën në mbrëmje në rrjetin e tij social “Truth Social” se do të jetë në mesin e tyre.
“Është nder që të njoftoj se do të udhëtoj për në Paris, Francë, të shtunën për të marrë pjesë në rihapjen e Katedrales Madhështore dhe Historike Notre Dame”, e cila është rinovuar tërësisht pas një zjarri shkatërrues para pesë vjetëve” – shkroi ai.
“Presidenti Emmanuel Macron ka bërë një punë të mrekullueshme duke u siguruar që Notre Dame të rinovohet në nivelin e saj të plotë të madhështisë dhe edhe më shumë. Do të jetë një ditë shumë e veçantë për të gjithë” – shtoi amerikani.
Ky do të jetë udhëtimi i parë i Trumpit jashtë vendit që nga fitorja në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara kundër nënpresidentes demokrate në largim, Kamala Harris.
Inaugurimi i republikanit miliarder në mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë do të bëhet më 20 janar të vitit të ardhshëm.