Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka informuar se është gati për bisedime me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në vendin e tij dhe është ofruar për të nënshkruar marrëveshjen për mineralet e Ukrainës “në çdo kohë”.
Gjatë fjalimit para Kongresit amerikan, më 4 mars, Trump tha se ka marrë një letër nga Zelensky, në të cilën udhëheqësi ukrainas ka shprehur gatishmërinë e tij për t’u ulur në tryezën e bisedimeve.
“Sot, më herët, kam marrë një letër të rëndësishme nga presidenti Zelensky i Ukrainës. Letra thotë: ‘Ukraina është e gatshme të vijë në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur, për ta sjellë paqen e qëndrueshme më afër. Askush nuk dëshiron paqe më shumë se ukrainasit’”, tha Trump duke cituar letrën, raporton BBC.
Ai tha se 2.000 njerëz vriten çdo javë në luftë – të rinj rusë dhe të rinj ukrainas.
“Dua që kjo të ndalet”, tha Trump, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar “ndoshta 350 miliardë dollarë” në ndihma për Ukrainën, ndërsa Evropa ka shpenzuar vetëm 100 miliardë dollarë.
Trump nuk e përmendi grindjen e tij publike me Zelenskyn, javën e kaluar në Zyrën Ovale. “Ne po shkojmë shumë mirë me ta dhe shumë gjëra po ndodhin”, tha presidenti amerikan.
Trump mbajti fjalimin një ditë pasi njoftoi se ka pezulluar gjithë mbështetjen ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, e cila, tash e tre vjet, lufton kundër forcave pushtuese ruse.