Donald Trump ka thënë se ShBA-ja “100 për qind” do të mbetet në NATO nën udhëheqjen e tij për sa kohë që vendet evropiane “luajnë drejt”.
Në një intervistë me mikun dhe aleatin e tij Nigel Farage për kanalin televiziv britanik “GB News”, Trumpi ka ripohuar angazhimin e tij ndaj aleancës transatlantike, por paralajmëroi vendet evropiane që të mos “përfitojnë” nga mbështetja amerikane.
Komentet e tij mund të ndihmojnë në qetësimin e nervave të liderëve perëndimorë të shqetësuar se Trump mund ta tërheqë zyrtarisht Amerikën nga NATO nëse fiton një mandat të dytë si president i ShBA-së më vonë këtë vit.
Trumpi ka qenë shumë kritik ndaj NATO-s për vite me radhë dhe frika e aleatëve u shtua pasi ish-presidenti, i vendosur të përballet me presidentin aktual Joe Biden në zgjedhjet e 5 nëntorit, ka thënë muajin e kaluar se do të “inkurajojë” Rusinë të “bëjë çfarëdo dreqin ata duan” ndaj vendeve të NATO-s të cilat nuk përmbushën detyrimet e tyre financiare ndaj aleancës.
Por duke folur me Farage – ish-udhëheqësin e Partisë Brexit të Britanisë së Madhe, Trumpi e ka zbutur retorikën e tij duke pohuar se Evropa duhet të paguajë “pjesën e saj të drejtë” të kostove të mbrojtjes.
“NATO duhet të trajtojë ShBA-në me drejtësi, sepse nëse nuk është për Shtetet e Bashkuara, NATO-ja fjalë për fjalë as nuk ekziston”, ka thënë Trumpi.
I pyetur drejtpërdrejt nëse ShBA-ja nën presidencën e tij do t’u vijë në ndihmë vendeve të sulmuara të NATO-s, Trumpi ka thënë se do t’u vijë në ndihmë.
“Po, por ju e dini, Shtetet e Bashkuara duhet të paguajnë pjesën e tyre të drejtë, jo pjesën e drejtë të të gjithëve. Ne kemi një oqean në mes të disa problemeve … NATO është më e rëndësishme për vendet evropiane, ata do të përfitojnë”, ka thënë Trump.
Sipas NATO-s, rreth dy të tretat e 32 vendeve anëtare të saj po shpenzojnë tani për mbrojtjen në nivelin e synuar të aleancës prej 2 për qind ose më të lartë të PBB-së. Trump kaloi pjesën më të madhe të mandatit të tij të parë në detyrë duke qortuar aleatët transatlantikë, Gjermaninë në veçanti, për rritjen e shpenzimeve të tyre të mbrojtjes.
Ka pasur shqetësime në rritje në Evropë për besueshmërinë e angazhimit të ShBA-së për sigurinë evropiane, të rritur nga oferta e dytë presidenciale e Trumpit dhe bllokimi partizan në Uashington mbi një paketë ndihme për të ndihmuar Ukrainën të shmangë pushtimin e vazhdueshëm në shkallë të plotë të Rusisë.
Ndërsa presidenti, Trumpi ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur se do të largohej nga aleanca, megjithëse nuk u ndoq kurrë.