Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se i dërguari amerikan Steve Witkoff arriti “përparim të madh” në takimin e tij me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, të mërkurën në Moskë.
Trump tha në një postim në rrjetin e tij Truth Social se gjithashtu i njoftoi disa nga aleatët evropianë të Uashingtonit pas takimit.
“I dërguari im i posaçëm, Steve Witkoff, sapo pati një takim shumë frytdhënës me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin”, tha Trump.
“Të gjithë pajtohemi se kjo luftë duhet të marrë fund, dhe ne do të punojmë për ta arritur këtë në ditët dhe javët në vijim”, shtoi ai.
Ndërkohë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha në një komunikatë më herët se Uashingtoni do të vendosë sanksione dytësore ndaj Rusisë të premten, pavarësisht “përparimit” në takimin e sotëm.
“Rusët janë të etur ta vazhdojnë angazhimin me Shtetet e Bashkuara. Sanksionet dytësore pritet të zbatohen të premten, gjithsesi”, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.
Më herët, një këshilltar i Kremlinit tha se Putinin dhe Witkoff kanë këmbyer sinjale” lidhur me luftën e Rusisë kundër Ukrainës gjatë takimit që u zhvillua vetëm dy ditë para afatit të vendosur nga Shtëpia e Bardhë që Moska të ndalë luftën kundër Ukrainës, përndryshe do të përballet me sanksione të reja.
Këshilltari kryesor për politikën e jashtme i Putinit, Yury Ushakov, tha se takimi që zgjati rreth tri orë në Kremlin, ishte “mjaft i dobishëm dhe konstruktiv”.
“Ne dhamë disa sinjale lidhur me çështjen ukrainase, ndër të tjera”, dhe “sinjale u morën edhe nga presidenti Trump”, tha Ushakov.
Përveç luftës, ata diskutuan edhe “perspektivat për zhvillimin e mundshëm të bashkëpunimit strategjik mes SHBA-së dhe Rusisë”.
Witkoff u prit në Moskë nga Kirill Dmitriyev, i dërguari për investime i Rusisë dhe drejtuesi i Fondit Sovran.
Teksa presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar se do të vendosë tarifa ndaj Rusisë dhe sanksione dytësore ndaj shteteve që ende importojnë naftë ruse – përfshirë blerëset më të mëdha, Kinën dhe Indinë – nuk pritet që Putini ta ndalë luftën kundër Ukrainës që e nisi më 2022.
Pas nisjes së vizitës të Witkoffit në Moskë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Ukraina i ka propozuar Rusisë “qetësi në qiell” – pa sulme me raketa apo dronë, dhe pa goditje ndaj infrastrukturës civile apo energjetike./Rel/