Gjatë muajit maj, dy kongresiste amerikane qëndruan për vizitë në Kosovë dhe Serbi.
Më 30 maj në Prishtinë, republikania Claudia Tenney dhe demokratja Chrissy Houlahan, u pritën nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Pas turneut të tyre në dy shtetet ballkanike, të cilat kanë raporte të acaruara pasi që Serbia refuzon ta njeh pavarësinë e Kosovës, kongresistet e nisën një letër të fortë në adresë të presidentin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Tenney dhe Houlahan, thonë se pas vizitave në Prishtinë e Beograd, besojnë se Trump dhe administrata e tij kanë një mundësi unike historike që të bëjnë paqen e përhershme mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që sipas tyre, janë dy shtete strategjikisht të rëndësishme në Ballkan Perëndimor.
Kongresistet thonë se e nxisin shefin e Shtëpisë së Bardhë, të përdorë ndikimin e tij që e quajnë të dukshëm në rajon që të ndihmojë në krijimin e një ujdie për normalizim mes Serbisë e Kosovës, që do të ndihmonte, siç ato thonë, stabilitetin në rajon, mbase edhe duke vizituar dy vendet në një udhëtim me, siç thonë negociata shoqëruese.
Tenney dhe Houlahan, i thanë Trumpit, se ai e di që Ballkani Perëndimor është rajon kritik në botë, dhe se jo-stabiliteti në këtë pjesë, shpesh është pararendës i destabilitetit global dhe konflikteve të mëdha.
Anëtaret e Kongresit, thonë se sikur Kosova ashtu dhe Serbia, janë aleate të forta të SHBA-ve që bashkëpunojnë me ushtrinë dhe agjencitë e inteligjencës. Por marrëdhënia e tensionuar mes dy republikave ballkanike, sipas dy kongresisteve, ka krijuar efekt destabilizues gjithë andej rajonit.
Ato i thanë kryetarit të Amerikës, se një ujdi potenciale paqeje me njohje të ndërsjellë mes Serbisë e Kosovës, do të mund të ishte katalizator për të krijuar një Ballkan Perëndimor, më shumë stabil e paqësor.
Në letër, dyshja nga Kongresi, i tregojnë presidentit amerikan se popullariteti i tij dhe vlerësimi për të në Kosovë e Serbi, është jashtëzakonisht i lartë, madje ndër më të lartit në Evropë.
Në bisedimet që Tenney e Houlahan, kishin me zyrtarë qeveritarë si në Prishtinë ashtu dhe Beograd, ato thonë se nikoqirët u thanë se qëllimin për raporte më të ngushta me SHBA-të dhe mbështetjen e fortë për administratën Trump.
Këtu flitet për vlerësim për fokusin e qartë që e kishte Trump në administratën 1 të tij, kur e bëri Richard Grenellin, të dërguar special për negociatat e paqes, kosovaro-serbe.
Patjetër përmendet marrëveshja e famshme të 4 shtatorit 2020, në Shtëpinë e Bardhë.
Kongresistet thonë se besojnë se këto faktor e bëjnë Trumpin unik të përshtatshëm që të udhëheqë negociatat për një akord më gjithëpërfshirës, Kosovë-Serbi, që mund të çojë në normalizim dhe njohje reciproke.
Ato e përmbyllin letrën, duke i thënë njeriut më të pushtetshëm në botë, se me ndikimin e tij, është e plotësisht e arritshme ujdia me paqe të qëndrueshme e njohje mes dy vendeve të Ballkanit.
Duke e falënderuar për kohën dhe vëmendjen në këtë çështje që zonjat e quajnë të rëndësishme, thonë se mezi po presin të punojnë në këtë nismë të rëndësishme.
Letra, i është përcjellë edhe sekretarit të shtetit, Marco Rubio, si dhe ambasadorit Richard Grenell, që është i dërguar presidencial për misione speciale.