Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se takimi me udhëheqësin rus, Vladimir Putin, ishte “shumë produktiv”, por ata nuk arritën një marrëveshje lidhur me përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Gjatë konferencës së përbashkët për media pas takimit në Alaskë, që zgjati gati 3 orë, Trump tha se me Putinin janë pajtuar për shumë pika, por jo edhe për më të rëndësishmen – duke mos specifikuar nëse bëhet fjalë për një armëpushim në luftën në Ukrainë që nisi më 2022.
Sipas presidentit amerikan, ka gjasa të mira që palët të arrijnë në të ardhmen një marrëveshje.
Putin, në anën tjetër, e cilësoi takimin si “konstruktiv”, dhe tha se “ne jemi sinqerisht të interesuar që konflikti të përfundojë”.
Trump tha se tani do të bisedojë me udhëheqësit e NATO-s, me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe udhëheqës të tjerë, për t’i informuar ata lidhur me samitin në Alaskë.
Në takimin, që u mbajtë në bazën ushtarake Elmendorf, dy udhëheqësve morën pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff. Po ashtu, Putin ishte i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, dhe këshilltari për çështje të jashtme, Yuri Ushakov.
Samiti historik nisi pasi avioni presidencial amerikan “Air Force One” u ul në bazën ushtarake Elmendorf, pranë Ankorixhit, rreth orës 10:20 sipas kohës lokale. Rreth 40 minuta më vonë, mbërriti edhe një aeroplan rus “Ilyushin” me Putinin në bord.
Trump dhe Putin shtrënguan duart dhe ecën krah për krah në pistë, ndërsa gazetarët u drejtuan dy liderëve me pyetje, përfshirë nëse presidenti rus do të ndalonte sulmet ndaj civilëve ose do të pranonte një armëpushim. Nuk ishte e qartë nëse ata i dëgjuan pyetjet.
Në një veprim të papritur, Putini iu bashkua Trumpit në limuzinën presidenciale amerikane, teksa të dy u nisën drejt vendtakimit – një nder i rrallë për një udhëheqës të një shteti rival. /REL/