Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se nuk planifikon të kandidojë për një mandat të tretë presidencial, ndonëse javët e fundit ka pasur spekulime.
“Unë do të jem president për tetë vjet, një president me dy mandate. Gjithmonë kam menduar se kjo ishte e rëndësishme”, tha Trump.
Republikani ka thënë më parë se do të dëshironte të kandidonte për një mandat të tretë apo edhe të katërt, më vonë duke pretenduar se e bëri këtë për të provokuar mediat, të cilat ai i akuzon për përhapjen e lajmeve të rreme.
Megjithatë, fakti që Organizata Trump ka shitur kapele me shkrime “Trump 2028” ka nxitur spekulime për ambiciet e tij të ardhshme politike, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
“Shumë njerëz po më kërkojnë ta bëj këtë”, tha Trump, vetëm disa ditë pasi kishte shënuar 100 ditë në mandatin e tij të dytë.
“Kjo është diçka që, me sa di unë, nuk lejohet. Nuk e di nëse është kushtetuese apo diçka tjetër”, shtoi ai, duke iu referuar ndalimit për mandatet e treta.
Trump përmendi gjithashtu disa emra që ai i sheh si pasardhës të mundshëm: zëvendëspresidenti JD Vance dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio.
“Unë mendoj se katër vjet janë mjaft të mjaftueshme për të bërë diçka spektakolare”, vazhdoi ai.
Ndryshe, sipas Amendamentit të 22-të të Kushtetutës së SHBA-së, askush nuk mund të zgjidhet president më shumë se dy herë
Ndryshimi i këtij rregulli do të kërkonte një shumicë prej dy të tretash në të dy dhomat e Kongresit, si dhe miratimin e tre të katërtave të shteteve federale.