2.9 C
New York
Thursday, February 19, 2026

Buy now

Trump, presion Britanisë: Mos ia jepni ishujt Chagos Mauritiusit

- Advertisement -

Tjetër përplasje mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe. Presidenti amerikan, Donald Trump, kritikoi këtë të enjte planin e Mbretërisë së Bashkuar për t’ia transferuar sovranitetin e Ishujve Chagos Mauritiusit dhe për ta marrë me qira bazën ushtarake të Diego Garcias për një periudhë 99-vjeçare.

Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump deklaroi se “ky territor nuk duhet t’i merret Mbretërisë së Bashkuar” dhe se dhënia e tij do të ishte “një njollë për aleatin tonë të madh”, duke iu referuar kështu Londrës zyrtare. Ai theksoi se marrëveshjet me qira “nuk janë të përshtatshme kur bëhet fjalë për shtete” dhe paralajmëroi se Londra po bën një gabim të madh duke hyrë në një marrëveshje të tillë afatgjatë.

Komentet e Trump vijnë pavarësisht se Uashingtoni i kishte dhënë më herët mbështetje zyrtare planit të Londrës për t’ia kaluar sovranitetin e Territorit Britanik të Oqeanit Indian Mauritiusit.

Në reagim ndaj deklaratave të Trump, Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se marrëveshja për Ishujt Chagos është “thelbësore për sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe të aleatëve tanë kryesorë, si dhe për mbrojtjen e qytetarëve britanikë”. Sipas saj, kjo marrëveshje është “e vetmja mënyrë për të garantuar të ardhmen afatgjatë të kësaj baze ushtarake jetike”.

Deklaratat e presidentit amerikan vijnë përpara bisedimeve që pritet të zhvillohen javën e ardhshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Mauritiusit mbi këtë çështje.

Diego Garcia është ishulli më i madh i arkipelagut Chagos dhe përdoret si bazë e përbashkët ushtarake nga forcat britanike dhe amerikane. Sipas marrëveshjes së shpallur në maj të vitit të kaluar, Mbretëria e Bashkuar do ta marrë me qira këtë bazë për një periudhë 99 vjet pas transferimit të sovranitetit.

Trump ka theksuar gjithashtu rëndësinë strategjike të ishullit, duke e përshkruar Diego Garcian si një pikë kyçe ushtarake në Oqeanin Indian, ndërsa ka paralajmëruar se kryeministri britanik, Keir Starmer, rrezikon të humbasë kontrollin mbi këtë territor të rëndësishëm për shkak të pretendimeve territoriale dhe marrëveshjes me Mauritiusin.

Të ngjashme

Të fundit