Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ngritur një padi prej 5 miliardë dollarësh kundër BBC-së për një redaktim të fjalimit të tij të 6 janarit 2021 në një dokumentar të Panorama.
Trump akuzoi transmetuesin për shpifje dhe për shkelje të një ligji për praktikat tregtare, sipas dokumenteve gjyqësore të paraqitura në Florida.
BBC i kërkoi falje Trump muajin e kaluar, por hodhi poshtë kërkesat e tij për kompensim dhe nuk u pajtua se kishte ndonjë “bazë për një pretendim për shpifje”.
Ekipi ligjor i presidenti amerikan pretendoi se transmetuesi “me qëllim, keqdashje dhe mashtrim” e modifikoi fjalimin e tij të 6 janarit para kryengritjes, në një episod të Panorama pak më shumë se një vit më parë, ndërsa BBC-ja ende nuk i është përgjigjur padisë.
Trump tha muajin e kaluar se planifikonte të padiste BBC-në për dokumentarin, i cili u transmetua në Mbretërinë e Bashkuar përpara zgjedhjeve të vitit 2024 në SHBA.
“Mendoj se duhet ta bëj,” u tha Trump gazetarëve për planet e tij. “Ata mashtruan. Ata ndryshuan fjalët që dilnin nga goja ime.”
Në fjalimin e tij më 6 janar 2021, përpara një trazire në Kapitolin e SHBA-së, Trump i tha një turme: “Do të ecim drejt Kapitolit dhe do të brohorasim për senatorët, kongresmenët dhe kongresmenet tona të guximshme”.
Më shumë se 50 minuta më vonë në fjalim, ai tha: “Dhe ne do të luftojmë. Ne do të luftojmë fort deri në fund.”
Në programin Panorama, një klip e tregoi atë duke thënë: “Do të ecim drejt Kapitolit… dhe unë do të jem atje me ju. Dhe ne do të luftojmë. Do të luftojmë deri në fund”.
BBC pranoi se redaktimi kishte dhënë “përshtypjen e gabuar” se ai kishte “bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për veprime të dhunshme”, por nuk u pajtua se kishte bazë për një pretendim për shpifje.
Me padinë, Trump po e çon betejën e tij kundër medias përtej kufijve amerikanë. Në Shtetet e Bashkuara, presidenti i ka shpallur prej kohësh luftë medias, e ka etiketuar vazhdimisht si armik të popullit dhe ka ngritur një sërë padish kundër New York Times, CBS dhe Wall Street Journal të mikut të tij Rupert Murdoch, nga e cila ka kërkuar 1 miliard dollarë.






