Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ai dhe kryeministri britanik Keir Starmer nuk kishin diskutuar rreth planit të Londrës për të njohur shtetin palestinez, në rast se Izraeli nuk ndërmerrte një numër hapash për të përmirësuar jetën e palestinezëve.
Starmer tha sot se Britania e Madhe ishte e përgatitur të njihte shtetin palestinez në shtator, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në përgjigje të zemërimit në rritje të publikut për krizën e urisë në Gazë.
“Ne nuk e diskutuam kurrë këtë”, u tha Trump gazetarëve në bordin e “Air Force One”, ndërsa udhëtonte për në SHBA, pasi u takua me Starmer në Skoci.
“Njohja e shtetit palestinez do të shpërblente grupin militant palestinez, Hamas”, tha Trump.
“Ju do të shpërbleni Hamasin nëse e bëni këtë. Nuk mendoj se ata duhet të shpërblehen”, tha ai.
“SHBA-ja ka dërguar para për ndihmat ushqimore për palestinezët në Gazë. Dua të sigurohemi që paratë të shpenzohen me mençuri dhe me gjykim të drejtë, dhe që ushqimi të shpërndahet në mënyrën e duhur”, tha Trump.