20.8 C
New York
Monday, May 19, 2025

Buy now

Trump nis telefonatën me Putinin, pritet edhe me Zelenskyn

- Advertisement -

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka nisur një bisedë telefonike me liderin rus, Vladimir Putin, në përpjekje për ta arritur një marrëveshje armëpushimi për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Shtëpia e Bardhë tha se biseda telefonike nisi në orën 10:30 me kohën e Uashingtonit, dhe sapo të mbarojë ajo, Trump do t’i telefonojë edhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se qëllimi i Trumpit është “ta shohë përfundimin e luftës”, dhe se “ai është zemëruar dhe lodhur nga të dyja palët”.

Steve Witkoff, emisar i Shtëpisë së Bardhë, i cili është takuar tashmë tre herë me Putinin, ka parashikuar se biseda me presidentin rus do t’i “kontribuojë identifikimit të asaj se ku jemi tani dhe se si mund t’i përmbyllim këto negociata”.

“Ata e njohin njëri-tjetrin. Presidenti është i vendosur të bëjë diçka këtu… Nëse ai s’mund të bëjë gjë, askush s’mundet”, ka thënë Witkoff në një intervistë për ABC News, në fundjavë.

Trump kishte paralajmëruar telefonatat pasi negociatorët rusë dhe ata ukrainas u takuan në Stamboll për bisedime të drejtpërdrejta. Ai ishte takimi i parë i palëve që nga javët e hershme pas nisjes së pushtimit të gjerë rus të Ukrainës, në shkurtin e vitit 2022.

“Tema të telefonatave do të jenë ndalja e ‘kasaphanës’”, ka shkruar Trump në mediat sociale. “Shpresoj se do të jetë një ditë produktive, se do të ketë armëpushim, dhe se kjo luftë shumë e dhunshme, që s’duhej të kishte nisur kurrë, do të marrë fund”, ka shtuar presidenti amerikan.

Takimet në Stamboll, të cilat përfshinë edhe bisedime të ndara me zyrtarë të SHBA-së, siguruan vetëm rezultate modeste, përfshirë një marrëveshje për këmbimin e 1.000 të burgosurve të luftës. Nuk pati zotim për ndaljen e luftimeve, ndërsa Rusia gjatë fundjavës kreu atë që Ukraina e cilësoi njërin ndër bombardimet më të mëdha me dronë.

Negociatorët rusë raportohet të kenë bërë kërkesa maksimale ndaj Ukrainës, duke i bërë thirrje asaj të tërheqë forcat e saj nga rajonet e okupuara pjesërisht nga Rusia, dhe të kenë paraqitur kushte të tjera, të cilat ishin vënë në pranverën e 2022-tës. Këto kushte janë hedhur kategorikisht poshtë nga Ukraina dhe nga shumë prej aleatëve të saj perëndimorë.

Që nga nisja e mandatit të dytë presidencial, në janar, Trump e ka bërë përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë prioritet kyç të politikës së jashtme. Këto përpjekje janë penguar nga operacionet e vazhdueshme ofensive të Rusisë në fushëbetejë, dhe nga mosgatishmëria e Moskës për t’u pajtuar për një armëpushim 30-ditor, diçka që Ukraina ka nënshkruar.

Pas një periudhe tensionesh fillestare me Kievin, zemërimi i Shtëpisë së Bardhë është përqendruar mbi Moskën, ndërsa tonet e deklaratave publike nga zyrtarët amerikanë janë ashpërsuar. /REL/

Të ngjashme

Të fundit