Marrëveshja e miratuar nga Kongresi e lejon ekipin e tranzicionit që të punojë me agjencitë federale dhe të ketë qasje tek të dhëna jo publike ndërsa hap dritën jeshile për zyrtarët federalë që të marrin pjesë në proces.
Zoti Trump nuk ka pranuar të nënshkruaj një marrëveshje tjetër me agjencinë e pavarur që mbikëqyr dhe menaxhon agjencitë federale, Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme, GSA.
Marrëveshja në fjalë do t’i kishte siguruar ekipit të zotit Trump qasje tek zyrat qeveritare dhe llogaritë e postës elektronike dhe pajisje të tjera. Marrëveshja kërkon që presidenti i zgjedhur të kufizojë donacionet në 5,000 dhe të bëjë publike individët që po dhurojnë para në përpjekjet e tranzicionit.
Në bazë të Ligjit për Tranzicionin Presidencial, marrëveshja me Shtëpinë e Bardhë duhej të ishte nënshkruar para 1 tetorit. Shtëpia e Bardhë dhe presidenti Biden i kishte kërkuar zotit Trump në rrugë private dhe publike që ta nënshkruajë marrëveshjen.
Marrëveshja është një hap kritik për sigurimin e një transferimi të rregullt të pushtetit në mesditë, ditën e inaugurimit më 20 janar, dhe shtron bazat që Shtëpia e Bardhë dhe agjencitë qeveritare të fillojnë të ndajnë detaje mbi programet, operacionet dhe kërcënimet me të cilat përballet vendi.
Kjo masë eliminon pengesat që ekipi i Trumpit të ketë qasje tek të dhënat edhe dokumentacioni i duhur që administrata në largim i ofron administratës së re kur ai të marrë pushtetin më 20 janar.
Në bazë të marrëveshjes me Shtëpinë e Bardhë, ekipi i Trumpit do të duhet të bëjë publik planin e tij të etikës lidhur me procesin e kalimit të pushtetit dhe të angazhohet për zbatimin e tij, tha Shtëpia e Bardhë.
Ekipi i tranzicionit duhet të deklarohet se nuk ka konflikt interesi përpara se të ketë qasje tek informacione federale jo publike.
Shefja e kabinetit të presidentit të ardhshëm Donald Trump, Susie Wiles, u takua më 19 nëntor në Shtëpinë e Bardhë me shefin e kabinetit të presidentit Joe Biden në largim, Jeff Zients dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Ata diskutuan mes të tjerash edhe pengesat e mbetura, ndërsa avokatët e të dy palëve kanë zhvilluar bisedime të shpeshta gjatë ditëve të fundit për të finalizuar marrëveshjen.