Një telefonatë nga Cristiano Ronaldo ka gëzuar presidentin Donald Trump.
Në postimin e tij, presidenti amerikan nuk e fshehu admirimin e tij për superyllin portugez të futbollit, duke e quajtur atë “një djalë të jashtëzakonshëm, jo vetëm si atlet, por edhe si person”.
“Cristiano Ronaldo, futbollisti i madh, sapo më telefonoi për të më falënderuar për turin që i bëra këtë javë në Shtëpinë e Bardhë dhe Zyrën Ovale. Ai është një djalë i jashtëzakonshëm, jo vetëm si atlet, por edhe si person. Nuk ka më të mirë se ai!!!”, shkruan ai.
Kujtojmë se muajin e kaluar, Cristiano Ronaldo ishte në Uashington dhe u prit nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, në Zyrën Ovale. Ylli portugez mori pjesë në delegacionin saudit që vizitoi kryeqytetin amerikan.
Gjatë vizitës, Ronaldo dhe Georgina Rodriguez u udhëhoqën personalisht nga Trump nëpër ambientet e Shtëpisë së Bardhë, duke vizituar korridoret e dekoruara me portrete të figurave historike dhe piktura në korniza ari. Turi përfundoi në Zyrën Ovale, ku presidenti amerikan i priti ngrohtësisht dhe bëri fotografi me ta./TCH






