Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ukraina kanë arritur një marrëveshje të armëpushimit që do të zgjaste 30 ditë, të cilën gjë duhet tani ta pranojë Rusia.
Donald Trump zbuloi më shumë rreth negociatave për armëpushim, duke thënë se “u diskutuan shumë çështje specifike”.
“Ne duam të shohim një armëpushim nga Rusia. Dhe nuk kemi vepruar në errësirë, e dini. Diskutuam për territorin ukrainas dhe për pjesët e vendit që do të mbaheshin dhe ato që do të humbeshin, si dhe për të gjitha elementet e tjera të marrëveshjes përfundimtare. Përfshihet edhe një termocentral. E dini, një termocentral shumë i madh. Kush do ta marrë termocentralin, kush do ta marrë këtë, kush do ta marrë atë? Pra, nuk është një proces i lehtë. Por faza e parë është armëpushimi”, tha presidenti amerikan.
Ai vazhdoi “diskutuam për konceptet e territorit sepse nuk doni të humbni kohë me një armëpushim nëse ai nuk do të thotë asgjë. Prandaj themi: shikoni, këtë mund ta merrni, këtë nuk mund ta merrni. Diskutuam për NATO-n, për anëtarësimin në NATO, dhe të gjithë e dinë përgjigjen për këtë. E dimë atë përgjigje prej 40 vitesh, të jemi realistë. Pra, shumë detaje të marrëveshjes përfundimtare tashmë janë diskutuar. Tani do të shohim nëse Rusia do të jetë pjesë e saj. Nëse jo, do të jetë një moment shumë zhgënjyes për botën”.
Duke folur për reagimin e parë të presidentit rus, Vladimir Putinit, Trump tha se ishte një “deklaratë shumë premtuese, por jo e plotë” dhe shtoi se “do të doja të takohesha me të ose të bisedonim, por këtë duhet ta zgjidhim shpejt”.
Trump u pyet për ndikimin mbi Rusinë, ku ai theksoi se “ka fuqi në negociatat me Rusinë”, por nuk dëshiron të flasë për këtë pasi aktualisht janë në bisedime me Moskën dhe, sipas tij, deklaratat e sotme nga Rusia ishin “mjaft pozitive”.
“Shpresoj që edhe Rusia të arrijë një marrëveshje… Nuk mendoj se do t’i rikthehet luftës. Vërtet besoj se, nëse arrijmë një marrëveshje paqeje, një marrëveshje për armëpushim, kjo mund të çojë në paqe të qëndrueshme. Nuk mendoj se dikush dëshiron të luftojë përsëri… Nëse presidenti Putin pranon armëpushimin, besoj se do të jemi në një pozitë shumë të mirë për ta zbatuar atë”, deklaroi lideri amerikan.
Trump përsëriti se ka forcuar mbështetjen amerikane për Ukrainën dhe se ka “ndaluar” gazsjellësin Rrjedha Veriore 2.
Ndryshe, Trump ka pritur sot Sekretar e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku do të diskutohet për luftën në Ukrainë dhe vazhdimin e ndihmave për këtë vend që po lufton kundër pushtuesve rusë që nga viti 2022.