Volodymyr Zelensky ka folur në Konferencën për Rikuperimin e Ukrainës, e cila u mbajt në kryeqytetin italian, Romë.
Presidenti ukrainas foli më herët në këtë ngjarje, ku falënderoi aleatët për zotimin mbi 10 miliardë euro për ndihmë në rindërtimin e Ukrainës, raporton skynews.
Më pas, ai u lidh virtualisht në një takim të “Koalicionit të vullnetarëve”, ku ishte e pranishme kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, kryeministri britanik, Sir Keir Starmer dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.
Zelensky falënderoi gjeneralin e lartë Keith Kellogg, i dërguari special i Donald Trump për Ukrainën dhe Rusinë, si dhe senatorët amerikanë, Lindsey Graham dhe Richard Blumenthal për pjesëmarrjen e tyre.
Lideri ukrainas gjithashtu mirëpriti sinjalet e fundit të Trumpit për mbështetje ndaj Ukrainës.
“Sinjalet e tij janë shumë, shumë të rëndësishme, dhe ne llogarisim mbi to. Dhe jam i sigurt që në të ardhmen do të zhvillojmë së bashku koalicionin e vullnetarëve”, deklaroi ai dhe shtoi se “ne në Ukrainë jemi shumë mirënjohës Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Trump për mbështetjen dhe gatishmërinë për të shtuar presionin mbi Rusinë në emër të paqes. Kjo është ajo që nevojitet”.
Ndryshe, “Koalicioni i Vullnetarëve” kanë vendosur që selinë ta kenë në Paris, ku do të merren me çështje taktike dhe operacionale në Kiev.