23.7 C
New York
Sunday, August 3, 2025

Buy now

Trump fliste kështu për prokurorin Smith, paralajmëronte se mund të kthehej në Gjykatën Speciale: Është i rrezikshëm edhe atje

- Advertisement -

Ish-prokurori i Posaçëm amerikan, Jack Smith është duke u hetuar nëse e ka shkelur ligjin i cili ua ndalon punëtorëve federalë t’i përdorin pozitën e tyre për aktivitete politike. Këtë, agjencitë kryesore të lajmeve në botë si Reuters dhe Associated Press thanë se ua ka konfirmuar Zyra e Këshilltarit të Posaçëm.

Smith dha dorëheqje në janar të këtij viti pasi ndjekjet penale të tij kundër presidentit amerikan Donald Trump përfunduan pa sukses dhe pushuan pasi republikani i fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Vendimi për ta hetuar Smithin erdhi pas një kërkese për hetime të nisur nga senatori amerikan, Tom Cotton, republikan nga Arkansasi. Ai e ka quajtur ish-prokurorin special “figurë politike që maskohet si zyrtar publik”.

Trump pati thënë në dhjetor të vitit të kaluar se Smith do të kthehet në Gjykatën Speciale në Hagë. Ai ka qenë kryeprokuror i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale në Hagë, e cila po gjykon ish-krerë të lartë dhe ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një intervistë në NBC, Trump kishte folur specifikisht për Smith, i cili para një viti e gjysmë ishte emëruar për t’i mbikëqyrur hetimet penale ndaj tij.

“Në historinë e vendit tonë, asgjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë. Dhe unë i kam fituar këto raste. Unë i kam fituar të gjitha dhe pjesa tjetër janë në proces të fitimit. I çmenduri Jack Smith është duke u kthyer në Hagë ku mund të ekzekutojë njerëz. Këtu duhej të qëndronte. Unë… mendoj se ai është i rrezikshëm edhe atje”, ka thënë presidenti i zgjedhur amerikan.

I pyetur nëse do të donte që Jack Smith të hetohet, Donald Trump pati thënë: “Epo, unë mendoj se ai është shumë i korruptuar”.

Insistimit të gazetares se a do të ndikonte që Smith të ndiqej penalisht, Trump i është përgjigjur se nuk do të jepte udhëzime.

Jack Smith është prokurori që i akuzoi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi po mbahen ende në paraburgimin e Gjykatës Speciale në saje të asaj aktakuze.

Në paraburgim në Hagë qëndrojnë edhe ish-komandantë e ish-ushtarë të UÇK-së për akuza të ngjashme. Disa tashmë janë dënuar.

 

Të ngjashme

Të fundit