Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se ka marrë një ftesë personale nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, për të përfaqësuar Shqipërinë në një organizatë të re ndërkombëtare të quajtur “Bordi i Paqes”.
Sipas Ramës, kjo strukturë është ideuar dhe do të kryesohet nga vetë presidenti Trump, ndërsa Shqipëria është ftuar të jetë anëtare themeluese e saj.
Kryeministri shqiptar e ka cilësuar këtë ftesë si një arritje të rëndësishme për vendin dhe si dëshmi të rolit dhe respektit ndërkombëtar që Shqipëria ka fituar vitet e fundit.
“Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të dinjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë më parë,” shprehet Rama në reagimin e tij.
Ai thekson gjithashtu se kjo ftesë pasqyron nivelin e lartë të marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar vlerësimin nga presidenti Trump si “krejt të posaçëm”.
Ky është postimi i plotë i tij:
Shumë i nderuar nga ftesa personale e presidentit Trump, për ta përfaqësuar Shqipërinë në bordin e paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë.
Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të dinjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e padiskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga presidenti Donald J. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të.
Thank you Mr.President
God bless Albania and the United States






