Presidenti më i fuqishëm në botë, Donald Trump, aktualisht është fokusuar në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë, që do t’i jepte fund luftës.
Ai i ka cilësuar si konstruktive bisedimet që ka zhvilluar me homologët e tij, Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky.
Trump shpesh është shprehur krenar se ka arritur të ndalë gjashtë luftëra për gjashtë muaj, duke përmendur mes tjerash edhe rastin e Kosovës dhe Serbisë.
Publicisti nga Beogradi, Dushan Janjiq, thotë se nuk duhet përjashtuar mundësia që, pas një marrëveshjeje eventuale mes Ukrainës dhe Rusisë, Trump ta rikthejë fokusin në Ballkan.
“Natyrisht, edhe çështjet mes Kosovës dhe Serbisë janë në agjendën e administratës Trump, por aktualisht nuk përbëjnë prioritet kryesor. Megjithatë, kjo mund të ndryshojë në të ardhmen. Të dyja shtetet duken si një tavolinë e vogël pokeri brenda një kazinoje të madhe për shtetet e fuqishme. Trump nuk e ka harruar marrëveshjen për normalizimin ekonomik mes dy vendeve dhe, herët a vonë, do t’i rikthehet asaj marrëveshjeje”, është shprehur Janiq.
Tutje, Janjiq ka komentuar edhe deklaratat e Trump, i cili thotë se ka shmangur një konflikt të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë.
“Gjatë viteve të fundit në Kosovë kanë shpërthyer tensione, që kulmuan me ngjarjet në Banjskë. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta vëzhgojnë me kujdes situatën në rajon, duke investuar në siguri. Trump e ndërlidh këtë rol edhe me përpjekjet për shmangien e një lufte, gjë që ai e përmend shpesh në fjalimet e tij”, shprehet publicisti nga Beogradi.
Në mandatin e tij të parë si president i SHBA-së, Donald Trump ndërmjetësoi një marrëveshje për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, kjo marrëveshje mbeti vetëm në letër dhe nuk u zbatua nga asnjëra palë.