Real Madridi e Barcelona kanë shfaqur spektakël në një ndeshje të zjarrtë “El Clasico-je” në “Santiago Bernabeu”.
Reali mori një fitore të madhe ndaj Barcelonës, me shifrat prej 2-1.
Kjo fitore i dërgon “Los Blancos” pesë pikë në krye të tabelës, mbi Barcelonën që është e dyta.
Serinë e golave në ndeshje e hapi Kylian Mbappe, i cili shënoi në minutën e 22-të të takimit, pas një asistimi maestral nga Jude Bellingham.
Pas një serie me raste të humbura nga Reali, Barcelona barazoi në 1-1.
Ishte Fermin Lopez që shënoi në minutën e 37-të, me Barcelonën që e shfrytëzoi gabimin e Arda Gulerit në mbrojtjen madrilene.
Mirëpo, gëzimi i Barçës zgjati vetëm gjashtë minuta, pasi Reali e riktheu epërsinë.
Ishte tashmë Jude Bellingham në rolin e golashënuesit, pas asistimit nga Eder Militao.
Pjesa e parë përfundoi me këto shifra, teksa ajo e dyta nisi po ashtu furishëm.
Reali mori një penallti pas një prekje me dorë nga Eric Garcia, por që Kylian Mbappe, si rrallëherë, e huqi.
Që nga minuta e 52-të, kur Reali e humbi penalltinë, Barcelona mori iniciativën e lojës, duke rrezikuar portën madrilene.
Mirëpo, muri madrilen nuk u thye deri në fund, me Realin që mori tri pikë të mëdha në “El Clasico”.
Pedri u ndëshkua me karton të kuq, pas dy të verdhëve, pas një ndërhyrje në fund ndaj Aurelien Tchouamenit.
Reali tashmë ka 27 pikë nga dhjetë ndeshje, teksa Barcelona është e dyta me 22 pikë./Express/






