9.5 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

“Tri me zero”-Kurti vazhdon të injorohet nga amerikanët, presidentja e vetmja adresë

- Advertisement -

Qeveria e Kosovës, rrjedhimisht, kryeministri Kurti ndodhen në presion nga komuniteti ndërkombëtar pas vendimit në lidhje me ndalimin e pagesave me dinar serb, për të cilin, thonë se u mor pa u koordinuar me ta.

Kemi para deklarata publike e të drejtpërdrejta nga aleatët tanë, sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasadori Jeff Hovenier veç se ka konfirmuar se “marrëdhëniet mes dy shteteve tashmë janë prekur”.

I

Më pesë mars, në Kosovë për vizitë qëndroi administratorja e USAID-it, Erin E. McKee. Në agjendën e saj, pati edhe takimin me presidenten Vjosa Osmani, pas të cilit, do të thoshte këto fjalë:

“Edhe pse mund të përballemi me mosmarrëveshje apo sfida me qeveri specifike, përkushtimi ynë ndaj popullit të Kosovës mbetet i palëkundur dhe i qëndrueshëm.” – deklaroi ajo.

Se McKee nuk e pati në agjendë takimin me Kurtin, na e konfirmuan edhe nga Ambasada Amerikane. Megjithatë, arsyet për mungesën e këtij takimi, nuk janë dhënë.

“Në funksion të rolit tonë, diplomatët takohen shpesh me përfaqësues nga qeveria, shoqëria civile, media dhe publiku. Gjatë vizitës së saj në Kosovë, Asistent Administratorja McKee theksoi prezencën 25-vjeçare të USAID-it në Kosovë dhe u takua me të rinj, gra ndërmarrëse, donatorë, media dhe përfaqësues të zgjedhur të qeverisë për të theksuar partneritetin e qëndrueshëm të USAID-it me popullin e Kosovës. Ndihmës Administratorja nuk u takua me Kryeministrin gjatë vizitës së saj.” – na tha një zëdhënës i Ambasadës Amerikane.

II

Gjatë javës së kaluar për vizitë në vendin tonë qëndroi edhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Qëllimi kryesor i vizitës së tij – dinari.

Në ditën e parë të qëndrimit në Prishtinë, Escobar do të takohej me partitë opozitare e presidenten Osmani. Kësaj të fundit, do t’ia thoshte disa fjalë mjaft të përzemërta:

“Ju (Vjosa Osmani) jeni garantuesja primare e marrëdhënies dhe trashëgimia e marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të falemnderoj për këtë. Dhe do të thoja që kjo trashëgimi është e bazuar në përkushtimin e pashkundshëm ndaj pavarësisë, sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë.” – u shpreh ai.

Me Kurtin, u takua ditën tjetër. Pas takimit, nuk kishte pasur deklarim të përbashkët për media.

III

Një takim të nivelit të lartë, e pati edhe sot (e enjte) presidentja Osmani. Në Kosovë po qëndron për vizitë ndihmës sekretari në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson.

Pas takimit, ai e Osmani mbajten një konferencë për media. Presidentja para mediave përmendi që Robbinson, ka punuar me sekretaren Albright. Sipas saj, kjo është dëshmi e njerëzve që janë edhe sot në administratën amerikane, e që kanë dhënë kontribut për Kosovën.

Ndër ta, siç e potencoi me buzëqeshje presidentja Osmani, është edhe ambasadori Hovenier.

Vlen të theksohet se para nëntë muajsh, kur veriu i vendit ishte në kulmin e tensioneve, vizita e ndihmës sekretari Todd Robinson për në Kosovë ishte shtyrë./Nacionale/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit