Burim Ramadani, ish-Inspektori i Përgithshëm i AKI-së, në lidhje me Millan Radojçiqin, tha se ky i fundit iku nga Kosova më 23 nëntor dhe që nga atëherë s’ka qenë i lirë në Kosovë.
Por, thotë ai, erdhi të paktën “dy herë, maleve”.
Postimi i plotë:
Më 23 nëntor 2018, tri javë para votimit të Ushtrisë së Kosovës, Milan Radojçiq u arratis nga Kosova. Atë mëngjes, njësitë speciale të Policisë bastisën banesën e tij, por ai kishte ikur nga sytë-këmbët.
Kurrë më nuk u kthye i lirë në Kosovë.
Erdhi, të paktën, dy herë maleve.
• Njëherë më 4-5 korrik 2022 erdhi dhe bëri një video kërcënuese. Si erdhi, ashtu edhe iku pa u zënë.
• Së dyti, më 24 shtator 2023, erdhi me rreth 90 trupa paramilitare dhe vrau një polic të Kosovës në Banjskë. Iku nga aty maleve, nën snajperin e shtetit të Kosovës.
Në tërë tregimin për “çlirimin e dytë të veriut”, emri i këtij kryeterroristi të mbështetur nga Serbia është portretizuar si shefi.
E vërteta është kjo:
1. Milan Radojçiq që nga fundnëntori 2018 nuk jeton i lirë në Kosovë.
2. Shefi i tij është Aleksandar Vuçiq, ndërlidhësi me Rusinë është Aleksandar Vulin, ndërsa Milan Radojçiq është kryeterroristi në terren, në Listë të Zezë të SHBA më 8 dhjetor 2021 dhe i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024.






