Minatorët e Trepçës vazhdojnë të përballen me vonesa në ekzekutimin e pagave. Atyre nuk u ka dalë akoma paga e muajit qershor, ndonëse tash do të duhej ta merrnin atë të muajit korrik. Sindikata e Minatorëve ka thënë se interesimi i qeverisë, ministrisë dhe bordit të ndërmarrjes për fatin e minierës dhe minatorëve, është zero. Menaxhmenti i kësaj ndërmarrje dhe Ministria e Ekonomisë kanë heshtur për këtë çështje, ndonëse situata e njëjtë përsëritet që nga viti i kaluar.
Hiç më larg se në fund të majit të këtij viti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mburrej në Facebook, duke thënë se gjatë qeverisjes së tyre fitimi i ndërmarrjeve publike po rritet.
Rizvanolli kishte thënë se 17 ndërmarrjet publike të cilat i raportojnë Ministrisë së Ekonomisë kanë mbyllur vitin 2022 me 101,41 milionë euro fitim, “rritje domethënëse në krahasim me fitimin prej 21.3 milionë në vitin paraprak”.
“Dita ditës, fitimi i ndërmarrjeve tona publike po rritet, performanca e tyre po përforcohet e shërbimet e tyre po përmirësohen!”, kishte shkruar Rizvanolli.
Mirëpo, kjo duket se nuk vlen edhe për Ndërmarrjen Publike “Trepça”, e cila tash e një kohë nuk po arrin të sigurojë as pagat për punëtorët e saj. Minatorëve ende nuk u janë ekzekutuar pagat e muajit qershor, ani pse tashmë janë afruar ditët kur ata do të duhej ta merrnin pagën e korrikut.
Për këtë dje ka njoftuar Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, e cila ka akuzuar menaxhmentin, bordin, Ministrinë e Ekonomisë dhe Qeverinë për mosinteresim për fatin e kësaj ndërmarrje dhe minatorëve.
“Një qasje e tillë refuzuese ndaj ndërmarrjes Trepça Sh.A dhe minatorëve, duke i lënë të njëjtit buzë humnerës dhe duke ia pamundësuar ekzekutimin e pagave gati për dy muaj nën këto kushte të rënda financiare të minatorëve përben shqetësim serioz dhe sfidë që kërkon zgjidhje të menjëhershme”, është thënë në reagimin e sindikatës.
Nga kjo sindikatë kanë paralajmëruar edhe mundësinë e migrimit jashtë vendit të minatorëve.
“Ta dini se një qasje e tillë ndaj minierës Trepça Sh.A dhe minatorëve të saj nga qeveria dhe ministria e saj paraqet rrezik serioz që të gjithë minatorët të gjejnë zgjidhje tjera apo edhe të migrojnë jashtë vendit.
Nga Bordi dhe menaxhmenti i Trepçës nuk janë deklaruar ende për arsyet e vonesës së ekzekutimit të pagave për minatorët. Gazeta Express ka dërguar pyetje për të marrë informacione se pse kjo situatë po përsëritet tash e disa herë dhe se kur do t’u ekzekutohen pagat minatorëve, por deri në momentin e publikimit të tekstit nuk ka marrë përgjigje. Përgjigje s’ka kthyer as Ministria e Ekonomisë.
Minatorëve nuk u ishin ekzekutuar me kohë as pagat e muajit prill.
“Kanë kaluar tashmë e dy javë nga dita kur është dashur të bëhej ekzekutimi i plotë i pagave për minatorët. Por një realizim i tillë është bërë në mënyrë selektive dhe diskriminuese, duke ekzekutuar pagat vetëm për disa kategori dhe pozita të punës. Një qasje të tillë e konsiderojmë diskriminuese, të kundërligjshme dhe të papërgjegjshëm. Ne kërkojmë ekzekutimin e pagave menjëherë, për të gjithë minatorët( të gjithë të punësuarit në Trepça Sh.a) pa dallim dhe diskriminim. Kësaj qasje arbitrare ndaj minatorëve duhet t’i vije fundi”, thuhet në një postim të sindikatës më 22 maj.
Probleme u kishin dalë edhe me pagat e tetorit, për vonesën e të cilave kishin hyrë edhe në grevë
Gjendja e vështirë financiare e kësaj ndërmarrje përmendet edhe në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2023.
Aty theksohet se ndërmarrja që nga viti 2020 nuk kishte bërë pagesën për kontributet dhe tatimin në paga për punonjësit e saj.
“Ndërmarrja, tek detyrimet e tjera afatshkurtra kishte prezantuar tatimi në paga i pagueshëm 2,157,218 euro, kontributi i pagueshëm 3,256,317 euro, interesi dhe ndëshkimi i pagueshëm në tatim dhe kontribute në vlerë 1,501,469 euro. Vlen të theksohet që ndërmarrja që nga viti 2020 nuk kishte bërë pagesën për kontributet dhe tatimin në paga për punonjësit e saj, rrjedhimisht nuk janë paguar edhe interesi dhe ndëshkimet në tatim dhe kontribute. Sipas shpjegimeve të menaxhmentit, kjo kishte ndodhur për shkak të gjendjes së vështirë financiare të ndërmarrjes”, theksohet në raportin e Auditorit.
Në raport përmendet edhe se si ndërmarrja është përballur gjatë vitit të kaluar me procedura përmbarimore në vlerë mbi 6.5 milionë euro.
“Ndërmarrja gjatë vitit ishte përballur me procedura përmbarimore ku vlera e lëndëve në pritje për t’u ekzekutuar në fund të vitit 2023 ishte 6,599,696 euro. Po ashtu ndërmarrja në PFV kishte njohur humbje të vitit në shumë prej 5,370,713 euro. Paaftësia e ndërmarrjes për të shlyer obligimet e saj ndikon që ndërmarrja të ketë kosto shtesë gjyqësore dhe përmbarimore, si dhe ndikon në rritjen e rrezikut për solvenitetin afatgjatë të ndërmarrjes”, thuhet në raportin e auditorit.
“Trepça” është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.
Kjo ndërmarrje bashkë me të tjerat është paraparë që t’i kalojë nën pronësi Fondit Sovran, që sipas Qeverisë së Kosovës, do të ketë përgjegjësinë ekskluzive për të investuar në rritjen e vlerës së tyre.