Tre minuta e 29 sekonda pa përfunduar ndeshja, Peja kishte epërsi prej një pike ndaj Trepçës 64:63, në ndeshjen e xhiros së 20-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Por, ndeshjen e zhvilluar në “Minatorin” me plot shikues, në fund e fituan mitrovicasit.
Mikaile Tmushiq e ktheu epërsinë e Trepçës me treshe, 3 minuta e 13 sekonda, për 66:64.
Më pas, pikë nuk u shënuan për dy minuta.
Një minutë e 31 sekonda, Amin Hot shënoi për 66:66. Por ishte Hot që shkaktoi faull në Tekele Cottonin, një minutë e nëntë sekonda para fundit.
Cotton e shënoi vetëm njërën prej dy gjuajtjeve të lira për 67:66, për ta bërë sfidën dramatike deri në fund.
Arti Hajdari dhe Hot i kishin dy mundësitë e fundit për të shënuar për Pejën, por nuk ia arritën një gjëje të tillë.
Dhe festa ishte për “xehetarët”, pasi me pikët e arritura, e kthyen sërish pozitën e parë në tabelë pas gabimit të Bashkimit. Bashkimi u mposht në shtëpi nga Sigal Prishtina. Trepça e Bashkimi kanë nga 34 pikë me 14 fitore e gjashtë disfata.
Sigal Prishtina me 32 pikë është e tretëa, ndërsa Vëllaznimi i katërti me 31 pikë.
Peja është vetëm e pesta me 30 pikë pas 20 xhirove, me 10 fitore e po aq humbje.
Golden Eagle Ylli i gjashti ka 28 pikë, kurse Bora me 26 pikë e Proton Cable Prizreni në vendin e fundit, kanë nga 25 pikë.
Në fitoren e Trepçës kontributin më të madh e dha Mikaile Tmushiq, që shënoi 17 pikë, katër kërcime e tri asistime.
Drilon Hajrizi e mbylli takimin me 14 pikë e pesë kërcime.
Te Peja, Hot ishte më i dalluari me 14 pikë, tetë kërcime e shtatë asistime. Nga 14 pikë i patën edhe Jonathan Galloëay dhe Tulio Da Silva.