Trepçës i është nevojitur vazhdimi prej pesë minutave për ta regjistruar fitoren s 13-të rresht në Superligën e Kosovës në basketboll.
Të mërkurën mbrëma, Trepça e mposhti Pejën në derbin e xhiros së 22-të, të luajtur në palestrën “Karagaçi”.
Ishte Ja’Cori Payne që në aksionin e fundit me treshe ia siguroi fitoren Trepçës me shifrat 98:95.
Koha e rregullt e takimit u mbyll me shifrat 87:87, pasi Musab Mala me treshe në sekondat e fundit siguroi vazhdimin prej pesë minutave për Pejën.
Ndeshja ishte e fortë në përgjithësi, me të dyja skuadrat që luftonin për fitore, por në fund Trepça ia doli mbanë.
Kampionia në fuqi, vazhdimin e fitoi me rezultat 11:8 dhe më efikasi te Trepça në këtë përballje ishte pikërisht Payne.
Amerikani Payne ndeshjen e përfundoi me 27 pikë, 5 kërcime e 3 asistime kurse te Peja, më efikasi ishte Cesare Edwards me 30 pikë e 17 kërcime.
Me këtë fitore, Trepça konfirmohet kampione e pjesës së rregullt me 41 pikë të mbledhura.
Ndërkohë, Peja që regjistroi humbjen e tretë rresht mbetet e katërta në tabelë me 32 pikë.






