KB Trepça është shndërruar në mollë sherri për kampionin në fuqi KB Pejën, pasi sërish e ka mposhtur, tani në kuadër të Superligës së Kosovës, me rezultat 94:77.
Përballja e fundit mes këtyre dy skuadrave ishte më 13 janar, ku skuadra mitrovicase kishte fituar me 16 pikë epërsi, e pothuajse me diferncë të njëjtë shkoi edhe ballafaqimi i sotëm.
KB Trepça që së fundmi fitoi Kupën e Kosovës, po kalon formë të jashtëzakonshme, që u tregua edhe sot në parket, me Darnell Edge të pandalshëm.
Çereku i pari i takimit i takoi liderit aktual, ku u shkëputen me një epërsi prej tetë pikëve, apo 24:16.
Mitrovicasit e nisën shumë më mirë edhe çerekun e dytë, por deri në fund të pjesës së parë Shqiponjat u kthyen në lojë, me 10 minutëshin e dytë që përfundoi me barazim, ku skuadrat shkuan në pushim me rezultat 51:43 në të mirë të Trepçës.
Skuadra e Adis Beciragic vazhdoi me paraqitje shembullore, duke shënuar pikë e mos pësuar në anën tjetër, me çka i ndihmoi ata që në periudhën e fundit të shkonin me 15 pikë epërsi.
10 minutat e fundit ishin pothuajse të barabarta, me Trepçën që fitoi 20:18, apo rezultat të përgjithshëm 94:77, pra me 17 pikë epërsi.
Padyshim ylli i ndeshjes ishte Darnell Edge, që ishte i pandalshëm, duke shënuar plot 33 pikë e shtoi tre rebounds e katër asistime, ndërsa atë e ndihmoi edhe Bracy-Davis me 18 pikë.
Vendorët e Trepçës në këtë ndeshje nuk ishin në më të mirën e tyre, duke shënuar në total 22 pikë nga 94 sosh.
Te Peja katër lojtarë shënuan pikë dyshifrore, me Larry Thomas më efikasin, por që nuk ishin të mjaftueshme për të përballuar skuadrën nga Mitrovica.
KB Trepça tani është në seri prej 17 fitoreve radhazi, me 22 fitore e dy humbje ku gjenden në vendin e parë, të ndjekur nga Peja, e cila sot pësoi humbjen e gjashtë sezonale.