Kurti mori detyrën e kryeministrit pikërisht në muajt e bumit të eksporteve në pranverën e 2021-shit, duke e bërë të vlerë pretendimin se bumi post-pandemik i eksporteve u nxit nga politikat stimuluse të ekzekutivit aktual. Një tjetër indikator mbështetës i një konkluzioni të tillë është viti 2023 në të cilin eksportet shënuan rënie të ndjeshme krahasuar me vitin paraprak.
Në vitin 2021, eksportet e Kosovës u rritën në 575 milionë euro, duke shënuar një përmirësim të konsiderueshëm nga 474 milionë euro në vitin 2020. Megjithatë, importet gjithashtu u rritën ndjeshëm në 3,93 miliardë euro, duke rezultuar në një deficit tregtar prej 3,92 miliardë euro – më i larti ndonjëherë.
Deri në vitin 2022, eksportet u rritën edhe më shumë në 920 milionë euro, por fatura e importit u rrit në 5.63 miliardë euro, duke çuar në një deficit tregtar rekord prej 4.71 miliardë euro.
Viti 2023 rezultoi edhe më negativ për Kosovën në statistikat e tregtisë së jashtme pasi eksportet shënuan rënie krahasuar me vitin parapra. Nga ana tjetër, importet vazhduan të rriten, duke arritur në 5.91 miliardë euro.
Kjo rezultoi në deficitin tregtar të Kosovës në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave prej 5.05 miliardë euro.
Viti | Eksportet | Importet | Bilanci tregtar |
---|---|---|---|
2018 | 367,500 | 3,347,007 | -2,979,507 |
2019 | 383,491 | 3,496,742 | -3,113,451 |
2020 | 474,884 | 3,296,635 | -2,821,751 |
2021 | 575,726 | 6,368,946 | -3,928,472 |
2022 | 920,405 | 5,639,969 | -4,718,991 |
2023 | 863,141 | 5,917,027 | -5,053,886 |
Nga viti 2021 e në vazhdim, hendeku midis eksportit dhe importit ka vazhduar të zgjerohet, duke çuar në një deficit të lartë tregtar. Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Gjatë qeverive të mëparshme, Kosova gjithashtu kishte një deficit të lartë tregtar, por ai ishte më pak i theksuar se sa me qeverinë akutale.
Në vitin 2018, eksportet ishin 367 milionë euro, ndërsa importet ishin 3,34 miliardë euro, duke rezultuar në deficit tregtar prej 2,98 miliardë euro. Deri në vitin 2020, eksportet ishin rritur në 474 milionë euro, ndërsa importet në 3.29 miliardë euro, duke rezultuar në një deficit tregtar prej 2.82 miliardë euro, shkruan Nacionale.
Gjatë gjithë viteve, eksportet shënuan rritje të vazhdueshme. Megjithatë, gjatë qeverisjes Kurti, rritja e eksporteve në dy vitet e para ishte më e madhe, por ky progres u errësua nga një rritje edhe më e madhe e importeve, duke çuar në një deficit tregtar rekord.
Përkundër pretendimeve të shpeshta të kryeministrit Kurti, se me qeverisjen e tij Kosova po bëhet “një vend i orientuar drejt eksportit”, shifrat e vitit 2023 sa i përket tregtisë së jashtme të vendit u karakterizuan me një rrjedhë negative të eksporteve krahasuar me dy vitet e para.
Rënie e eksporteve është shënuar edhe në fillim të vitit 2024, duke sfiduar kështu ‘mitin’ e suksesit të qeverisë Kurti në këtë drejtim.
Pothuajse në secilin muaj të vitit 2023, raportet tregtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës treguan rritje të deficitit tregtar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky thellim i deficitit nënkupton një zgjatje të çekuilibrit midis produkteve që importohen dhe atyre që eksportohen. /Nacionale/