Manchester City ka hartuar një listë me tre emra për ta zëvendësuar Pep Guardiolën, ndërsa e ardhmja e tij në “Etihad Stadium” mbetet e pasigurt.
Të dielën, City humbi terren ndaj Arsenalit në garën për titull, pasi barazoi në transfertë ndaj rivalëve të tyre, Tottenhamit, të cilët u rikthyen nga disavantazhi 2-0 për të marrë një pikë.
City ka arritur vetëm një fitore në Premierligë gjatë vitit 2026, një sukses 2-0 ndaj Wolves, dhe tani ndodhet gjashtë pikë pas Arsenalit në garën për titull.
Pas një periudhe ku dukej se skuadra po gjente ritmin para rënies së formës rreth Vitit të Ri, City tani është larg ekipit dominues që kontrollonte ndeshjet me lehtësi.
Kjo seri negative ka shtuar dyshimet se Guardiola mund të mos jetë trajner sezonin e ardhshëm.
Katalanasi po i afrohet një dekade në krye të Cityt dhe ka fituar gjashtë tituj të Premierligës.
Megjithatë, me kontratën që i skadon në verën e vitit 2027, disa klube besojnë se 55-vjeçari është pranë largimit.
Ka sugjerime se City po përgatitet për jetën pas Guardiolës dhe tre kandidatë shihen si pasardhës të mundshëm.
Gazetari Matt Law i “The Telegraph” raporton se Xabi Alonso pritet të jetë në listë, pasi së fundmi u shkarkua nga Real Madridi.
Alonso ka luajtur nën drejtimin e Guardiolës te Bayern Munich dhe pritet të joshet edhe nga ish-klubi Liverpool, në varësi të asaj që do të ndodhë me trajnerin aktual Arne Slot, i cili është nën presion pas një periudhe të vështirë në sezonin e tij të dytë.
Sipas gazetarit Duncan Castles, Alonso është favorit për të zëvendësuar Guardiolën dhe është “sonduar” nga City përpara largimit nga Real Madridi.
Një tjetër kandidat është Enzo Maresca, pas shkarkimit të tij nga Chelsea.
Italiani ka punuar më parë te City me ekipin U23 dhe për një periudhë ka qenë asistent i Guardiolës në ekipin e parë.
Para se të largohej nga Chelsea, Maresca kishte pranuar se kishte pasur biseda me përfaqësues të Cityt.
Në garë është edhe një tjetër ish-lojtar i Guardiolës, Cesc Fabregas, i cili po bën paraqitje mbresëlënëse me Comon në Serie A, duke e udhëhequr ekipin drejt vendit të gjashtë në renditje.
Ekziston edhe një skenar ëndrrash për tifozët e Cityt, rikthimi i ish-kapitenit Vincent Kompany si trajner.
Megjithatë, Kompany po shkëlqen te Bayern Munich, ka rinovuar kontratën deri në vitin 2029 dhe është në bisedime për merkaton e verës.
Drejtori sportiv i klubit, Hugo Viana, i cili zëvendësoi mikun e ngushtë të Guardiolës, Txiki Begiristain, do të ketë rolin kyç në përzgjedhjen e pasuesit, ndërsa edhe vetë Guardiola mund të ketë një fjalë në këtë proces.
City rikthehet në aksion të mërkurën me gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Ligës kundër Newcastle, përpara një përballjeje të madhe në Premierligë ndaj Liverpoolit të dielën.






