8.1 C
New York
Saturday, March 22, 2025

Buy now

Tre muaj nga sulmi terrorist në Ibër Lepenc, çka dihet deri më tani?

- Advertisement -
Kanë kaluar tre muaj që nga shpërthimi i fuqishëm në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut, i cili dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga i cili furnizohen me ujë disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Kanali kishte pësuar dëme, kurse banorë nga Mitrovica nuk kishin pasur ujë për gati 24 orë pas shpërthimit.

Ndonëse për këtë rast hetimet janë nisur edhe nga FBI-ja – agjencia federale e sigurisë, akoma nuk dihet asgjë në lidhje me mënyrën se si ka ndodhur krejtësisht ky sulm terrorist.

Fillimisht ishin arrestuar tetë persona, ndërsa dy prej tyre u ishte caktuar masa e paraburgimit.

Dragisha Viqentijeviç dhe Jovan Viqentijeviç, të cilët janë vëllezër, në muajin mars u është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj.

Policia e Kosovës menjëherë pas sulmit kishte konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv, pas këtij sulmi.

Që nga ndodhia e rastit, nga Prokuroria Speciale ishte thënë për Albanian Post se po vazhdohet mbledhja dhe analiza e provave.

“Ju informojmë se rasti për të cilin keni pyetur ndodhet në fazën e hetimeve dhe të mbledhjes dhe analizimit të provave në Prokurorinë Speciale. Deri tani kemi dy persona që gjenden në masën e paraburgimit”, ishte përgjigja e prokurorisë për AP.

Institucionet e Kosovës kishin akuzuar fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, për “sulm kriminel dhe terrorist, i cili, sipas kryeministrit Albin Kurti, ka synuar “të dëmtojë infrastrukturën më të rëndësishme të vendit”.

Serbia e mohoi këtë.

Në anën tjetër, përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë kishin dënuar fuqishëm shpërthimin në Ibër-Lepenc.

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, kishte thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e ndihmojnë Kosovën që të kryejë hetimin lidhur me sulmin e 29 nëntorit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të Zubin Potokut.

“Po e ndihmojmë Kosovën dhe qeverinë e Kosovës që të kryejnë hetimin. Kemi ndihmuar duke vënë në dispozicion burime për këtë qëllim. Dhe mendojmë se është me rëndësi kritike që çdo hetim të ndjekë faktet në terren, të shqyrtojë si duhet të gjitha informacionet aty dhe të punojë me partnerët ndërkombëtarë në këtë kontekst për t’u siguruar që do të ngrihet një hetim i besueshëm”, kishte deklaruar Kasanof.

Ndërmarrja publike “Ibër-Lepenci” dhe ministrja Artane Rizvanolli patën njoftuar se të gjitha punimet kryesore në pjesën e kanalit në Varagë të Zubin Potokut do të përmbyllen në fund të vitit 2024.

Institucionet e Kosovës kishin deklaruar se sulmi është kryer me rreth 20 kilogramë eksploziv dhe se është realizuar nga persona të trajnuar për detonimin e mjeteve shpërthyese që ndizen me fitil me djegie të ngadaltë.

Po ashtu, gjatë aksionit policor ishin sekuestruar mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë raketahedhës dore, tri granata dore, dy pushkë të llojit AK47, një revole, municion të kalibrave të ndryshme, pjesë të armeve, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, të holla në valuta si euro dhe dinar dhe pajisje të tjera.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte deklaruar në një konferencë për media se shumica dërrmuese e armatimit dhe pajisjeve të tjera të konfiskuara janë “prodhim serb” dhe se një pjesë e madhe e tyre janë “pajisje ekskluzivisht ushtarake” që nuk mund të gjendet lehtë në tregun e zi.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit