Tre banka në vend i janë ankuar policisë në 24 orët e fundit për shkak të dyshimeve se persona të panjohur kanë deponuar tek to mijëra euro false.
Në rastin e parë, një menaxher i parasë në një bankë në Prishtinë ka thënë se nga 12 deri më 22 dhjetor, disa kompani vendore dhe një person i panjohur kanë deponuar 3676 euro fals, shkruan lajmi.net.
“Me 12.01.2024 ankuesi mashkull kosovar zyrtar për menaxhimin e parasë në bankë ka dorëzuar 3676€ bankënota dhe monedha metalike që dyshohet të jenë te falsifikuara. Sipas ankuesit dyshohet se te njëjtat janë deponuar në bankë nga disa kompani vendore dhe një person i panjohur. Rasti mbetet nën hetime”, thuhet në njoftimin e policisë.
Edhe në Fushë Kosovë, arkëtarja e një banke i ka raportuar policisë se nga 13 nëntori e deri më 10 janar, dyshon se janë deponuar 532 monedha të falsifikuara.
Në këtë rast monedhat janë sekuestruar.
“Me 12.01.2024 ankuesja femër kosovare arkëtare në bankë, ka deklaruar se janë deponuar gjithsejtë 532 monedha metalike të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Monedhat janë sekuestruar dhe rasti mbetet nën hetime”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërsa rast të ngjashëm ka pasur edhe në Gjilan, shkruan lajmi.net.
Atje arkëtarja e bankës i ka thënë policisë se një klient ka deponuar 700 euro, 400 prej të cilave dyshon se janë të falsifikuara.
“Ankuesja femër kosovare, arkëtare në bankë, ka deklaruar se në bankomatin e bankës nga një klient janë deponuar gjithsejtë 700€, prej tyre janë 400€ të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Monedhat janë sekuestruar dhe rasti mbetet nën hetime”, thuhet në njoftimin e policisë