Është rënduar situata nga reshjet e borës në rrethet e Matit dhe të Bulqizës.
Reshjet e dendura të shiut dhe të borës, shoqëruar me erë të fortë dhe temperatura të ulëta, kanë bllokuar rrugët rurale të Bashkive Bulqizë, Mat dhe Klos. Për pasojë, janë izoluar shumë fshatra, pasi trashësia e dëborës ka arritur 35 deri në 45 centimetra.
Reshjet, e shoqëruara me ngrica në rrugë kanë vështirësuar qarkullimin në rrugët nacionale, por edhe rrugët në qytetin e Bulqizës.
Stuhitë e forta të borës kanë detyruar shumë biznese, që të mbyllen. Në shumë fshatra të rrethit të Bulqizës mungon energjia elektrike, për shkak të dëmtimit të linjave të tensionit të lartë dhe ato të ulët.
Shqipëria është përballur sot me reshje shiu dhe bore, që kanë shkaktuar probleme edhe në qarkullimin e mjeteve.