Më 17 dhjetor të vitit 2025, ish-kryeprokurori i Gjykatës Speciale, Jack Smith, ishte intervistuar nga Komiteti Gjyqësor i Dhomës së Përfaqësuesve.
Kjo ndërlidhur me hetimet ndaj Jack Smith, për rastet e Donald Trump, dhe ndërhyrjen e tij në zgjedhje.
Në transkriptin e intervistimit të Jack Smith, megjithatë, përmendet edhe puna e Smith në Gjykatën Speciale të Hagës, takimet që ka pasur, dhe interesimin për proceset nga njerëzit e fuqishëm të Departamentit të Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë transkript të publikuar, e të cilin e ka parë Nacionale, Jack Smith flet për takime me Lisa Monacon, e cila kishte qenë zv/prokurore e përgjithshme në Amerikë nga vitit 2021 deri në vitin 2025. Përveç saj, edhe me prokurorin Merric Garland e Marshall Miller, me të cilët Jack Smith kishte bashkëpunuar.
Kur flet për këto takime, del në pah interesimi që kishte pasur Lisa Monaco, pra njeriu më i fuqishëm i drejtësisë amerikane, për punën e Jack Smith në Gjykatën Speciale të Hagës.
Takimi kishte ndodhur në tetor të vitit 2022, ku Jack Smith tregon se kishte shkuar në Amerikë nga Haga, në kohën e pushimeve vjetore.
“Cila ishte tema e këtyre dy takimeve, atij me znj.Monaco dhe tjetrin me z.Klaper e Garland”, pyeti njëri nga anëtarët e Këshillit.
“Ata më pyetën për punën time në Hagë”, u përgjigj Jack Smith. “Kjo ishte ajo për të cilën ishin dy bisedat. Një të njëjtin udhëtim, shkova dhe fola me Departamentin e të Drejtave të Njeriut, në lidhje me punën që po bëja në Hagë për Departamentin e Shtetit”, tha ai më tutje.
Vijoi pyetja shtesë. “Pra, vetëm kjo ishte tema”. “Puna ime në Hagë, pak a shumë, përvoja ime si prokuror, dhe mënyra se si shikoja punën. Nuk folëm për këto hetime”, tha më tutje Jack Smith.
I pyetur nëse takimet kishin të bëjnë me pozitën e këshilltarit special, sërish Jack Smith thotë se ai u pyet vetëm për punën në Hagë, pra për Gjykatën Speciale.
“Epo, ata më pyetën për punën time në Hagë dhe punën time si prokuror. Nuk e di se çfarë bisedash pati Z. Miller me ta”, tha Jack Smith.
Jack Smith zbuloi pse vendosi ta linte në gjysmë procesin ndaj krerëve të UÇK-së, duke u kthye në Amerikë për ta hetuar Donald Turmpin. Ai tha se i pëlqente shumë puna në Hagë.
“Më pëlqente shumë puna ime në Hagë. Por për arsye familjare, nëse do të më jepej mundësia e duhur, nuk doja me çdo kusht të kthehesha, por nëse do të më jepej mundësia e duhur, do të isha i gatshëm ta bëja. Kjo është një nga arsyet pse fola me z. Miller”, tha Jack Smith.
Komiteti Gjyqësor, i udhëhequr nga republikanët, po heton atë që e quan ndjekje penale “të motivuara politikisht” ndaj z. Trump, të udhëhequra nga Smith. Presidenti u padit me më shumë se 40 akuza federale në dy raste të ndara.
Rasti i parë pretendonte se ai kishte mbajtur në mënyrë të paligjshme dokumente qeveritare të shënuara si të klasifikuara pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021, ndërsa i dyti lidhej me përpjekjet e dyshuara për të minuar transferimin e pushtetit pas zgjedhjeve të vitit 2020.
Presidenti ka mohuar prej kohësh çdo shkelje dhe ka pohuar se hetimet e Smithit ishin “gjueti shtrigash” të motivuara politikisht, me qëllim dëmtimin e kandidaturës së tij për Shtëpinë e Bardhë.
Të dy rastet u mbyllën pasi z. Trump fitoi një mandat të dytë në nëntor 2024.
Megjithatë, me presidentin sërish në detyrë dhe me republikanët që kontrollojnë të dy dhomat e Kongresit, Smith është bërë objekt hetimesh nga avokatë republikanë dhe nga Zyra e Këshilltarit të Posaçëm, një agjenci e pavarur që nuk ka lidhje me pozicionin e mëparshëm të Smithit si këshilltar i posaçëm.
Trump ka vazhduar gjithashtu ta sulmojë Smithin, duke e quajtur atë “të çmendur” dhe “kriminel”.






