“Aktorja amerikane me origjinë shqiptare, Eliza Dushku, dikur një nga fytyrat më të njohura të serialit kult ‘Buffy The Vampire Slayer’, ka surprizuar fansat me pamjen e re, shumë ndryshe nga imazhi i saj i viteve të famës në Hollywood”, thuhet në një shkrim të publikuar nga tabloidi i famshëm britanik “DailyMail”.
Më tej artikulli vijon:
Eliza, tashmë 44 vjeçe, është shkëputur nga skena prej gati një dekade dhe postimet e fundit në rrjetet sociale tregojnë një transformim total: flokë të gjatë me vija të çelura dhe një stil shumë më natyral, shpesh pa grim dhe veshur thjesht e rastësisht. Edhe pse larg dritave të skenës, ajo duket më në formë dhe thuajse pa moshë.
Në prill, ajo publikoi në “Instagram” fotot e diplomimit duke e përshkruar këtë rrugëtim si një “thirrje të brendshme që u realizua”.
Së bashku me bashkëshortin e saj, biznesmenin Peter Palandjian, Eliza po financon kërkime dhe prova klinike mbi përdorimin e psikodelikëve për trajtimin e veteranëve me PTSD, sipas Boston Magazine.
Ajo është edhe producente ekzekutive e dokumentarit të ri në Netflix, In Waves and War, që trajton efektet e këtyre terapive tek të mbijetuarit nga trauma.
Pse u largua nga Hollywood-i?
Eliza nuk është shfaqur në ekran që prej vitit 2017, kur luajti në serialin “Bull” në CBS. Po atë vit ajo akuzoi partnerin e saj të serialit, Michael Weatherly, për ngacmim seksual. Pas denoncimit, roli i saj u hoq papritur nga seriali dhe CBS arriti me të një marrëveshje konfidenciale prej 9.5 milionë dollarësh.
Weatherly kërkoi falje publike dhe pranoi se sjellja e tij kishte qenë e papërshtatshme.
Nga “Faith” te jeta e qetë familjare në Boston
Eliza u bë e njohur në vitin 1998 si Faith, “Slayer-i rebel”, rol që e shndërroi në yll ndërkombëtar. Më pas u rikthye në spin-off-in Angel dhe mori pjesë në filma të suksesshëm si Bring It On.
Sot, ajo jeton në Boston me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre, duke shijuar një jetë larg famës dhe thashethemeve të Hollywood-it.











