Supermodelja legjendare, e njohur për flokët e saj të zinj të gjatë dhe të lëmuar, është shfaqur me prarime të arta dhe nuanca të çelëta gjatë garës së Formula 1 në Las Vegas, një nga eventet më të mëdha dhe më të ndjekura të këtij viti
Gjatë fundjavës së Grand Prix në Las Vegas, zona e pistës u mbush me fytyra të njohura nga moda, muzika dhe kinemaja. Megjithatë, ishte Naomi ajo që vodhi gjithë vëmendjen. E quajtur prej dekadash “Black Panther” për sharmin, fuqinë dhe prezencën e saj unike, ajo i habiti të gjithë kur u shfaq me një ngjyrë flokësh që askush nuk e priste.
Në një jumpsuit prej lëkure ngjyrë kafe, stilizuar në mënyrë perfekte, Naomi Campbell prezantoi stilin e saj të ri: shfaqi për herë të parë zyrtarisht nuancat balayage me tone mjaltë dhe të arta, të cilat zëvendësuan ngjyrën e saj ikonike të zezë, që prej vitesh ishte sinonim i identitetit të saj estetik.
Ajo u shfaq me: flokë jashtëzakonisht të gjatë, ndarje të përkryer në mes, prarime të ngrohta në nuanca karamel dhe mjaltë, të cilat krijonin një harmoni fine me ngjyrën e saj natyrale kafe, transmeton Telegrafi.
Ky ndryshim i lehtë, por shumë i gjetur, e transformoi tërësisht pamjen e saj. Ndryshe nga stili i saj klasik dhe ultra i lëmuar, Naomi zgjodhi këtë herë një dukje më të lirshme, me valë të buta, që i japin flokëve teksturë dhe volum, duke rikujtuar në mënyrë elegante estetikën e viteve ’70.
Ky stil i ri krijon një kontrast të shkëlqyer me veshjen prej lëkure që kishte zgjedhur: flokët me teksturë të lehtë zbusin linjat e forta të materialit, duke e bërë pamjen vizualisht harmonike dhe më të ngrohtë.
Sa i përket makijazhit, Naomi mbeti besnike minimalizmit luksoz: një shkëlqim i butë, pak hijezim dhe kontur i lehtë, mjaftueshëm për të lënë në qendër flokët dhe sytë e saj të thellë.
Një trend global në ngjitje
Ekspertët e flokëve e kanë cilësuar këtë paraqitje si sinjal të qartë se tonet mjaltë dhe ari do të dominojnë këtë sezon dimër-pranverë. Revista prestigjioze “Vogue” dhe “Harper’s Bazaar” raportojnë se dritësimet e buta, prarimet e ngrohta, po rikthehen fuqimisht, ndërsa Naomi Campbell, një ikonë botërore e stilit, sapo e ka përforcuar këtë tendencë.
Në rrjetet sociale, fansat dhe profesionistët e bukurisë kanë shpërndarë pamjet e saj viralisht, duke e cilësuar këtë si një nga transformimet e saj më të bukura të viteve të fundit.






