Pavarësisht pritjeve të tifozëve për një sulmues të ri, lëvizja e Arsenalit për Viktor Gyokeres është përballur me një ngërç serioz në negociata, që mund të rrezikojë përfundimisht transferimin.
Klubi londinez ishte i vendosur për ta sjellë sulmuesin e Sporting Lisbonës në Emirates, duke ofruar 65 milionë euro plus 15 milionë bonuse, por Sportingu kërkon një shumë fikse prej 70 milionë eurosh.
Raportet nga Portugalia thonë se nuk ka pasur asnjë përparim në bisedime që nga fundjava, ndërsa përfaqësuesit e Arsenalit janë kthyer tashmë në Londër pas një raundi të dytë negociatash të pasuksesshme. Klubi anglez tani po shqyrton tërheqjen nga marrëveshja, nëse Sporting nuk ndryshon qëndrim.
Vetë Gyokeres besohet se ka një marrëveshje nderi për t’u larguar për 60 milionë euro plus bonuse, dhe është i zhgënjyer me klubin portugez për mosrespektimin e kësaj marrëveshjeje. Ai thuhet se ka refuzuar të paraqitet në stërvitje dhe ka shprehur qartë dëshirën për të mos luajtur më për Sportingun.
Në përpjekje për ta lehtësuar marrëveshjen, lojtari është ofruar të heqë dorë nga 2 milionë euro nga paga e tij e ardhshme, por edhe kjo nuk ka ndryshuar qëndrimin e klubit portugez. Për më tepër, nëse marrëveshja me Arsenalin dështon, Fenerbahçe në Turqi pritet të hyjë në garë për huazimin e tij.
Gyokeres, i cili ka shënuar 54 gola në të gjitha garat sezonin e fundit për Sportingun, ka edhe tre vite të mbetura në kontratë, por situata aktuale e bën të vështirë që ai ta përmbushë atë.
Ndërkohë, Arsenali ka qenë aktiv në merkato, duke përforcuar skuadrën me Martin Zubimendi, Kepa Arrizabalaga dhe Christian Norgaard, dhe po shqyrton ofertat edhe për Noni Madueke dhe Eberechi Eze.
Orët në vijim pritet të jenë vendimtare për fatin e këtij transferimi të shumëpritur.