Një koalicion prej 11 shtetes do të fillojë trajnimin e pilotëve ukrainas për të fluturuar me avionë luftarakë F-16 në gusht në Danimarkë dhe një qendër trajnimi do të ngrihet në Rumani, thanë zyrtarët të martën në margjinat e një samiti të NATO-s në Lituani, raporton Reuters.
Anëtarët e NATO-s, Danimarka dhe Holanda kanë udhëhequr përpjekjet ndërkombëtare për të trajnuar pilotët, si dhe stafin mbështetës, mirëmbajtjen e avionëve dhe përfundimisht mundësojnë furnizimin e Ukrainës me F-16 në luftën e saj me Rusinë.
“Shpresojmë se do të jemi në gjendje të shohim rezultate në fillim të vitit të ardhshëm”, – u tha gazetarëve ministri në detyrë i mbrojtjes i Danimarkës Troels Lund Poulsen pas një ceremonie nënshkrimi.
Deri më tani, asnjë vend nuk është zotuar të dërgojë F-16 në Ukrainë, megjithëse Polonia dhe Sllovakia kanë furnizuar 27 MiG-29 për të plotësuar flotën e avionëve luftarakë të Ukrainës.
Kievi, i cili ka nisur një kundërofensivë kundër forcave ruse, ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur që vendet perëndimore të furnizojnë avionë dhe të trajnojnë pilotët e tij për t’i drejtuar ato, për të kundërshtuar me sukses dominimin ajror të Moskës.
“Ne duhet të mbrojmë popullsinë tonë civile, infrastrukturën tonë, objektet kritike, shkollat tona, universitetet tona. Kjo është arsyeja pse për ne është shumë e rëndësishme që ky koalicion i avionëve luftarakë të fillojë,” – u tha gazetarëve ministri ukrainas i mbrojtjes Oleksii Reznikov.