Kombëtarja e Kosovës me 9 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, zhvillon njëren prej ndeshjeve më spektakolare të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.
Dardanët do të ndeshen me Zvicrën e Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit derisa atmosfera në stadiumin “Fadil Vokrri” pritet të jetë e zjarrtë e këtë më së miri e dëshmon fakti se të gjitha biletat për këtë ndeshje janë shitur brenda pak orëve.
Trajneri i Zvicrës, Murat Yakin e ka quajtur këtë ndeshje si vëllazërore, mirëpo është ankuar për gjendjen e fushës në Prishtinë.
“Nga shorti e dija se kjo mund të ishte një nga ndeshjet më të vështira në grup”, ka thënë Yakin për 20min.
“Gjithashtu emocionalisht. Ju keni lojtarë të lidhur me Zvicrën, ne kemi lojtarë të lidhur me Kosovën. Emocionet në këtë duel vëllazëror do të jenë vetëm pozitive. Unë jam më i shqetësuar për diçka tjetër. Fusha në Prishtinë ishte në gjendje shumë të keqe gjatë ndeshjes së fundit në shtëpi kundër Rumanisë. Shpresoj se do të luajmë në një fushë të mirë”, ka shtuar më tej trajneri i Helvetikëve.