14 C
New York
Saturday, November 1, 2025

Buy now

Trajneri i Sunderlandit nuk i kursen fjalët më të mira për Granit Xhakën

- Advertisement -

Sunderlandi ka filluar në mënyrë të shkëlqyer sezonin në Premierligë, duke tejkaluar pritshmëritë e shumë njerëzve që dyshonin madje edhe për mbijetesën e tyre, pavarësisht merkatos mbresëlënëse të verës.

Aktualisht, ata ndodhen në zonën e Ligës së Kampionëve, dhe seria e fundit e fitoreve i ka vendosur në një pozicion shumë të favorshëm për të qëndruar në elitë.

Në përballjen ndaj Chelseat, ata treguan vendosmëri dhe karakter, duke shkaktuar një surprizë të madhe në “Stamford Bridge” falë një goli të vonë nga afrimi i verës, Chemsdine Talbi.

Një nga lojtarët kyç në këtë sukses ka qenë kapiteni Granit Xhaka, për të cilin trajneri Regis Le Bris nuk kurseu fjalët e mira në konferencën për shtyp.

“Ai udhëheq me shembull dhe jep besim e shpresë. Kur luajmë jashtë, si ndaj Chelseat, ai beson se mund të fitojmë dhe e tregon këtë. Ai e thotë – në dhomën e zhveshjes dhe kudo tjetër. Kështu që edhe ti do ta besosh, do ta ndjekësh”, tha ai.

Le Bris u shpreh gjithashtu se si trajner nuk dëshiron të jetë figura qendrore, duke e konsideruar Xhakën si një blerje perfekte për të marrë përgjegjësi dhe për të udhëhequr ekipin në situata të ndryshme.

“Si trajner, nuk dua të jem unë njeriu kryesor. Nuk është ky qëllimi im. Dua t’u jap dije, fuqi dhe përgjegjësi lojtarëve. Kemi futbollistë në fushë që dinë të menaxhojnë situatat e vogla. Po përmirësohemi, po bëhemi më proaktivë, më fleksibël dhe më adaptues për të zgjidhur problemet dhe për të përfituar nga mundësitë që paraqiten”, shtoi ai.

Sfida tjetër për Sunderlandin do të jetë të hënën në mbrëmje kundër Evertonit, përpara se Arsenali të udhëtojë drejt “Stadium of Light” përpara pushimit të radhës ndërkombëtar.

Skuadra tashmë ka tejkaluar ndoshta edhe pritshmëritë e veta, por Le Bris këmbëngul se sezoni është ende i gjatë dhe se është koha për objektiva të rinj, pa humbur qëndrueshmërinë.

“Qëndrueshmëria është ndoshta fjala kryesore. Mund të jesh konkurrues për një periudhë të shkurtër, por për të gjithë kampionatin është diçka krejt tjetër. Ky do të jetë sfidimi ynë i radhës”, përfundoi ai.

Të ngjashme

Të fundit