Trajneri i njohur turk, Hikmet Karaman, ka vlerësuar lart paraqitjet e Kombëtares së Kosovës në prag të përballjes vendimtare në “play-off”.
Në një deklaratë për mediat turke, ai theksoi ndryshimin e perceptimit ndaj Kosovës pas ndeshjes me Sllovakinë, duke nënvizuar forcën që ka treguar skuadra e “Dardanëve”.
“Para ndeshjes Sllovaki–Kosovë, të gjithë thoshin ‘të mos na vijë Sllovakia’. Pas ndeshjes, pasi e panë lojën, tani thonë ‘ah, më mirë të na vinte Sllovakia’”, u shpreh Karaman për Hürriyet.
Ai e cilësoi Kosovën si një kundërshtar shumë të fortë dhe paralajmëroi për kujdes maksimal nga ana e Turqisë në çdo repart të fushës.
“Kosova është vërtet një skuadër e jashtëzakonshme. Mesfusha jonë qendrore dhe mbrojtja duhet të luajnë shumë mirë. Edhe portieri ynë duhet të ketë minimumin e gabimeve”, shtoi ai.
Kosova do të ndeshet me Turqinë të martën në Prishtinë, në finalen e play-offit për Botëror.






