14.5 C
New York
Friday, November 7, 2025

Buy now

Tragjedia që tronditi Malishevën: Nga krimi në familje tek arrestimi i dhëndrit të plagosur

- Advertisement -

As më shumë se 24-orë!

Astrit Isufi, i dyshuari për vrasjen e Naim dhe Driton Morinës në fshatin Gollubovc të Malishevës, u arrestua në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

Siç ka raportuar ekskluzivisht Klankosova.tv rreth orës 06:30, Isufi është gjetur duke u fshehur në një shtëpi të pabanuar në fshatin Pllaqicë të Malishevës.

Në momentin e arrestimit, ai ka qenë i plagosur me plagë që dyshohet se janë shkaktuar nga arma e zjarrit.

Fillimisht, i dyshuari është trajtuar në QKMF-në e Malishevës dhe më pas është transferuar në QKUK, nën masa të rrepta sigurie, raporton Klankosova.tv.

Drejtori i Klinikës së Emergjencës në QKUK, Naser Syla, konfirmoi për Klankosova.tv se gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe se po i bëhen të gjitha ekzaminimet e nevojshme.

Pas trajtimit fillestar, ai pritet të transferohet në Klinikën Abdominale për kujdes të mëtutjeshëm.

Policia, gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, ka sekuestruar po ashtu dy armë zjarri që dyshohet se janë përdorur në krim, njoftoi Prokuroria Themelore e Gjakovës.

Si ndodhi krimi i rëndë që tronditi Malishevën?

Më 6 nëntor, rreth orës 11:30, në shtëpinë e familjes Morina në Gollubovc, dyshohet se Astrit Isufi ka hapur zjarr ndaj dy miqve të tij, Naim Morina, 45 vjeç, dhe Driton Morina, 32 vjeç.

Njëri prej tyre ka humbur jetën në vend, ndërsa tjetri ka vdekur rrugës për në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë.

Sipas burimeve të Klan Kosovës, i dyshuari kishte shkuar për të marrë bashkëshorten e tij,  e cila është motra e viktimave,  pasi familja e saj kishte mbajtur të pame për babanë e ndjerë.

Burimet tregojnë se viktimat i kishin kërkuar asaj të ndahej nga Isufi.

Në atë kohë, bashkëshortja dhe vajza e dyshuarit ndodheshin në veturë dhe dyshohet se kanë parë skenën.

I dyshuari me vepra penale të mëparshme

Ndaj Astrit Isufit më herët kishte qenë ngritur një aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe ai kishte qëndruar për disa muaj në paraburgim.

Ai ka qenë i dyshuar për dy vepra penale, ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Kanosje’.

Nuk dihet ende kur i është ndërprerë masa e sigurisë.

Hetimet po vazhdojnë, ndërsa rasti po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Në linqet e mëposhtme, gjeni raportimin e plotë nga portali Klankosova.tv për këtë rast

Të ngjashme

Të fundit